Zv.kryetari i Komunës së Tetovës dhe zëdhënësi i VLEN-it Albi Qamili, në një paraqitje në TV Koha në emisionin “On Time”, tha se VLEN-i do ta zgjidh çështjen e provimit të Jurisprudencës, ndërsa përveç tij edhe 48 provime tjera për licenca profesionale gjithashtu do të jepen në gjuhën shqipe.
Ai tha se çështja e provimit të Jurisprudencës ka mundur të zgjidhet me një akt normativ nga ministri i Drejtësisë, por BDI pati indiferencë të plotë ndaj kësaj çështje dhe zbatimit të gjuhës shqipe.
“Dua ta sqaroj mirë për opinionin se çfarë indiference ka pasur BDI-ja gjatë 20 viteve qeverisje ndaj gjuhës shqipe, ndaj të drejtës natyrale për dhënien e provimeve në gjuhë amtare. E dijmë që Ligji për jurisprudencën është ndryshuar në vitin 2019, pas hyrjes në fuqi të Ligjit të gjuhëve, i cili ka nen që thotë se të gjitha nenet duhet të harmonizihen me të. Pse BDI nuk propozoi që Ligji për jurisprudencën të harmonizohet me Ligjin e gjuhëve. Por, provimi i Jurisprudencës ka mundur të rregullohet me një akt normativ nga ministri i Drejtësisë”.
“BDI ka pasur gjashtë ministra shqiptar dhe asnjëherë nuk e rregulluan këtë çështje. Kjo çështje do të zgjidhet. Në takim me kryeministrin, bashkëkryetarët e VLEN-it kanë arritur marrëveshje për zgjidhjen e kësaj çështje. Por ne shkojmë edhe një hap më tutje. Përveç Jurisprudencës kemi identifikuar edhe 48 provime tjera që kanë të bëjnë me licenca profesionale, të gjitha do t’i bëjmë në gjuhën shqipe”, tha Qamili.

