May 8, 2024
Lajmet e reja

Serbia i kthen në kufi ministrat e Kosovës, nuk i lejon vizitën në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë

Autoritetet serbe nuk kanë lejuar hyrjen e ministrave të Qeverisë së Kosovës, të cilët kishin në agjendë vizitat në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.

Në këtë delegacion ishin ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministri i Financave, Hekuran Murati , ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku dhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ministri Aliu theksoi se Serbia ua ka refuzuar pa asnjë arsye kërkesën për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë në momentin para nisjes.

“Duke filluar nga sot, bashkë me ministrat, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku, planifikonim të fillonim vizitën dy ditore, në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Vizita jonë, nga autoritetet në Beograd, u refuzua, pa asnjë arsyetim pak para nisjes së delegacionit tonë”.

“Në harmoni me procedurat dhe marrëveshjen në Bruksel, ne kemi bërë kërkesë të rregullt me datë 24 Nëntor, duke prezantuar edhe agjendën e vizitës. Refuzimi na është bërë sot në oren 07:13. Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye, për refuzimin”.

Ai ka shtuar se arsyeja e kësaj vizite ishte festa e 28 nëntorit.

“Agjenda e aktivitetit të planifikuar, përfshinte vizitën, në datat 27 dhe 28 Nëntor, në të tre komunat e banuara me shqiptarë dhe takime me kryetarët e komunave, përfaqësuesit në parlament, në nivelin lokal dhe me krerët e subjekteve politike”.

“Refuzimi i kërkesës është pengim i hapur për të ndihmuar qytetarët e diskriminuar shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”,ka thënë Aliu.