Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, me rastin e 35-vjetorit të Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ka theksuar rëndësinë e përgjegjësisë ndaj shtetit, qytetarëve dhe brezave të ardhshëm.
“Sot, më 8 Shtator, shënojmë 35-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut – një ditë që na kujton rrugëtimin tonë të përbashkët dhe përgjegjësinë që kemi ndaj shtetit, qytetarëve dhe brezave që vijnë.
Pavarësia është më shumë se një moment historik. Ajo është përgjegjësi për të ndërtuar një shtet të drejtë, demokratik dhe të qëndrueshëm, ku çdo qytetar ndihet i barabartë, i respektuar dhe pjesë e së ardhmes së përbashkët.
Besoj fuqishëm se përmes bashkëpunimit, respektit të ndërsjellë dhe përkushtimit ndaj vlerave demokratike, mund ta çojmë vendin tonë përpara dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut ua uroj 8 Shtatorin – Ditën e Pavarësisë!”, deklaroi Sali.

