April 27, 2024
Rajon - Botë

Rrëfimi i burrit me origjinë shqiptare në SHBA të cilit iu shkatërrua shtëpia nga tornadoja

Burri me origjinë shqiptare Gentian Emini së bashku me gruan e tij kishin kursyer për gjashtë vjet për ta ndërtuar shtëpinë e tyre në Kentucky, SHBA, e cila iu shkatërrua nga tornadoja.

Ai për mediet amerikane rrëfen për dëmet që ndodhën për shkak të kësaj stuhie.

“Për pak sekonda, njerëzit vdiqën, njerëzit humbën më të dashurit e tyre, humbën veturat, shtëpitë. Thjesht është bërë një fatkeqësi e madhe”, thotë Emini.

Derisa flet për The Washington Post, ai thotë se ai kishte ndërtuar shtëpinë dykatëshe për vetën dhe familjen e tij.

“Kisha sigurime në fillim, dhe isha në fazën finale të përfundimit të shtëpisë dhe më thanë se nuk mund të më mbështesnin më sepse kanë kaluar gjashtë muaj. Të gjitha këto dëme kapin vlerën prej 150 mijë dollar”, ka thënë ai.

“Të gjitha paratë e mia i kam ruajtur për këtë shtëpi për gjashtë vjet”, rrëfen burri me origjinë shqiptare.