May 14, 2024
Maqedoni

Rrahet kryetari i Shoqatës bullgare në Maqedoni, Bekir Kadrieski, ja foto e tij (Foto)

Ministri I Brendshëm, Oliver Spasovski, ka njoftuar se MPB-ja ka zbardhur rastin e sulmit të bashkëkryetarit të klubit Bullgar “Shemeto”, Bekir Kadrieski. Sic tha Spasovski, policia ka reaguar shpejt dhe në mënyrë efikase, njofton KlanM.

Një sulm tjetër fizik ndez tensionet Shkup – Sofje. Bashkëkryetari i Shoqatës së Bullgarëve në RMV, “Shemeto”, Bekir Kadrieski, sic percjell KlanM, për mediat bullgare kishte deklaruar se dje është rrahur nga persona të panjohur në Strugë.

Reagimet në Bullgari zakonisht nisin e përfundojnë me thirrje për “veto për Maqedoninë” dhe të mos shpejtohet me konkluzione para zbardhjes së rastit.

MPJ-ja e Bullgarisë njoftoi se menjëherë ka vepruar pas këtij rasti.

“Një zyrtar i Konzulatës së Përgjithshme në Manastir është dërguar në Strugë. Po sqarohen faktet rreth rastit dhe nëse bëhet fjalë për vepër penale nga urrejtja” – thonë nga MPJ e Bullgarisë.

Janë prononcuar edhe nga partia GERB e ish-Kryeministrit, Bojko Borisov.

“Jemi dëshmitarë edhe të një akti brutal të dhunës ndaj shtetasve të RMV-së që deklarohen si Bullgarë” – shkroi në Facebook partia GERB, nga radhët e të cilëve vjen edhe shefja aktuale e diplomacisë, Marija Gabriel, e cila pas nëntë muajve do të jetë Kryeministre e Bullgarisë, sipas marrëvshjes për koalicion për Kryeministër me rotacion.

Ngjarja, sic njofton KlanM, ishte regjistruar edhe në buletinin policor.

“Më 13.06.2023 në ora 12:15 në Policinë e Strugës është denoncuar se në afërsi të sallës së aporteve në Rrugën “Boro Haxhieski” në Strugë, A.N nga Veleshta e Strugës, ka cënuar rendin dhe qetësinë publike me sulm fizik ndaj B.K nga Llabunishta. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit, kurse SPB-Strugë do të ngrejë kallëzim adekuat”

Në opinion përmenden edhe njoftime se dy të implikuarit në këtë incident kanë pasur mosmarrëveshje personale dhe se akti nuk ka prapavijë etnike.

Ministria e Punëve të Jashtme, sic njofton KlanM, u ka bërë thirrje autoriteteve dhe opinionit në Bullgari që deri në zbardhjen e rastit të përmbahen nga kualifikimet e parakohshme.

“Dje, gjatë orëve të mbrëmjes, me personin e dyshuar për sulmin, A.N. nga Veleshta, u realizua bisedë informative dhe është njoftuar prokurori publik. Kjo ngjarje nuk duhet të hedhë hije mbi përpjekjet institucionale për të kultivuar të drejtat dhe interesat e komuniteteve më të vogla, duke përfshirë edhe përpjekjet për të drejtat e garantuara kushtetuese-ligjore për to, mes tyre edhe komunitetin bullgar” – thonë nga MPJ.

Kadrieski është shtetas I RMV-së që jeton në Llabunishtë të Strugës dhe nuk ka shtetësi të Bullgarisë por deklarohet si bullgar.

Pas sulmit të mëhershëm ndaj Hristijan Pendikovit, sic percjell KlanM, ai për mediat bullgare kishte deklaruar se janë përditshmëri kërcënimet ndaj Bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, në veçanti përmes rrjeteve sociale.

Incidenti ndodh në kohën e debateve të intensifikuara në Maqedoninë e Veriut për ndryshimet kushtetuese, me të cilët, Bulgarët duhet të futen në Preambulë.

Shoqata e Bullgarëve “Shemeto” nga Struga është regjistruar më 16 Mars 2022. /KlanMacedonia/