May 19, 2024
Maqedoni

RMV, zbatimi i Ligjit të Gjuhëve sipas dëshirës së institucioneve

Edhe pse kanë kaluar dy vite nga hyrja në fuqi e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, zbatimi i të njëjtit është shumë i zbehtë në praktikë. Neni 23 i këtij Ligji thotë se “Në afat prej një viti nga dita e hyrjes në fuqi e këtij ligji, të gjitha institucionet kompetente obligohen që t’i miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e këtij Ligji”. Megjithatë, lëshime në zbatimin e këtij Ligji vërehen institucionet, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal. Ligji nuk zbatohet me korrektësi as në faqen zyrtare të Qeverisë si dhe raporti i fundit nga AZGJ raporton të dhëna të ulëta në interesimin e institucioneve për zbatimin e këtij Ligji, shkruan Portalb.mk.

 

 

Në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nuk respektohet plotësisht e drejta e qytetarëve për informim në gjuhën shqipe. Edhe pse kjo është një e drejtë e garantuar dhe e rregulluar me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Në nenin 1, paragrafi 3, të këtij ligji theksohet:

“Në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj”.

Në rast të mos zbatimit të këtij Ligji parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë.

Neni 22
(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.

(2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit
përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.

Në shikim të parë në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figurojnë aspak e në disa raste nuk janë të kompletuara ose nuk janë të plotësuara dhe të përditësuara. Cilësia dhe sasia e informimit në gjuhën shqipe mundet të vërehet që nga korniza për navigim të shpejtë, ku në gjuhën shqipe ka më pak kategori informimi.