May 16, 2024
Maqedoni

Revoltë ndaj qëndrimeve mohuese të palës maqedonase

Atëbotë ishte e qartë se autoritetet maqedonase i kishin ndërmarrë të gjitha parapërgatitjet që edhe me këtë regjistrim të manipulonin, për t’i nxjerrë shqiptarët në numër sa më të vogël, aq sa u nevojitej atyre për t’i bllokuar kërkesat e shqiptarëve dhe për t’i trajtuar si të parealizueshme as sipas konventave ndërkombëtare.

Shkruan: Shkëlzen HALIMI, Shkup

Çështja e regjistrimit të popullsisë është një detyrim i nevojshëm dhe i domosdoshëm për çdo shtet, i cili, sipas rekomandimeve të OKB-së, realizohet në çdo 10 vjet, kurse të dhënat statistikore shërbejnë për planifikimin e zhvillimit të gjithanshëm jo vetëm në lëmin ekonomik, social, por edhe në lëmenjtë tjerë të rëndësishëm për popullatën dhe për vetë shtetin.

Historia e regjistrimeve ka njohur edhe shumë keqpërdorime të këtij procesi, por ka njohur edhe bojkotimin, sidomos në mjedise me popullatë të përzier, siç është edhe Maqedonia e Veriut, ku popullata shqiptare e bojkotoi regjistrimin e vitit 1991. Në fakt, ky bojkotim ishte një akt revolte ndaj organeve të atëhershme shtetërore për qëndrimin e tyre mohues ndaj kërkesave legjitime dhe të drejta të shqiptarëve.

Për hir të së vërtetës, duhet theksuar se dy subjektet e atëhershme politike shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) dhe Partia Demokratike Popullore (PDP), arritën që ta mobilizojnë popullatën shqiptare, e cila, me disa përjashtime të papërfillshme, i qëndroi besnik vendimit që regjistruesve mos t’u hapen dyert.

Ndonëse pati shumë apele që të mos bojkotohet regjistrimi, pushteti i atëhershëm maqedonas u shërbye edhe me presione e kushtëzime të ndryshme policore, duke u kanosur edhe me burgosje të atyre që nuk do të regjistrohen. Natyrisht, këto kanosje ishin recidivë të metodave sllavo-komuniste, të cilat i zbatonin ata individë, të cilët nuk mund të pajtoheshin me faktin se shqiptarët, më në fund, kishin vendosur që për fatin e tyre të përkujdesen vetë dhe jo të tjerët. Atëbotë ishte e qartë se autoritetet maqedonase i kishin ndërmarrë të gjitha parapërgatitjet që edhe me këtë regjistrim të manipulonin, për t’i nxjerrë shqiptarët në numër sa më të vogël, aq sa u nevojitej atyre për t’i bllokuar kërkesat e shqiptarëve dhe për t’i trajtuar si të parealizueshme as sipas konventave ndërkombëtare.

Shqiptarët kërkuan përshtatjen e strukturës së regjistruesve sipas numrit të popullatës dhe mbetjes së një kopjeje të fletëregjistrimit në çdo familje. Megjithatë, problemet ishin edhe më të thella dhe bojkoti ishte një metodë demokratike për të bërë presion ndaj politikave regresive të konjukturave të atëhershme maqedonase, të cilat kishin një qëndrim të prerë mohuese ndaj disa të drejtave legjitime të shqiptarëve, siç ishin ndalimi i përdorimit të flamurit dhe i simboleve kombëtare, reduktimi i mësimit në gjuhën shqipe, ndalimi i përdorimit të gjuhës shqipe në organet shtetërore, si dhe përjashtimi i shqiptarëve nga definicioni i shtetit. Nga ana tjetër, ishte e qartë se Enti Shtetëror i Statistikave, pothuaj “saktësisht” dhe “paraprakisht” e dinte numrin e shqiptarëve.

Në fakt, shqiptarët ishin të vetëdijshëm për të gjitha manipulimet e regjistrimeve të mëparshme, kur shqiptarët për shkak të regjimit të ashpër komunist nuk kishin mundësi të reagonin, sepse ishte e qartë se çdo reagim i tyre sanksionohej në mënyrën më brutale.

Se si u manipulua, bie fjala, regjistrimi i vitit 1971, citojmë pjesë të një shkrimi të botuar në vitin 1991 në revistën DITA: “Gjatë regjistrimit të vitit 1971, në mungesë të rubrikës për përkatësinë kombëtare, deklarimet u bënë përmes elementit gjuhësor dhe fetar. Në këtë mënyrë, shumica e banorëve të Rekës, edhe ata që flisnin shqip, u regjistruan si maqedonas dhe mysliman, ndërsa shqiptarët ortodoks nga Reka e Krusheva u regjistruan vetëm si maqedonas. Sipas kësaj metode, organet shtetërore me qëllime të caktuara i “ngatërruan” dhe identifikuan kombin me fenë, veçanërisht pas asaj periudhe kur edhe “de jure” filluan të ekzistojnë kombi mysliman dhe maqedonas mysliman. Që atëherë dihej, falë aktivitetit të disa individëve, si Nijazi Limanovski me kompani, që organizuan manifestime të ashtuquajtura maqedonase myslimane, se gjithë kjo u bë që sa më lehtë të manipulohet me numrin e popullatës në dëm të shqiptarëve”.

Ishte shumë e qartë se shqiptarët kishin (por edhe kanë) përvojë të keqe me regjistrimin e popullsisë dhe ekonomive shtëpiake, sepse realiteti asnjëherë nuk përkonte me rezultatet e këtyre zgjedhjeve, ndonëse këtë e tregojnë edhe shumë shembuj. Sidomos politikat manipuluese statistikore i demantonte numri i nxënësve shqiptarë. Mbase, këtë e tregoi edhe numri i votuesve shqiptarë në zgjedhjet e para pluraliste dhe “demokratike” (nëntor, 1990), kur 23 deputetët shqiptarë me numrin e marrë të votave peshonin sa 60 deputetë maqedonas, sepse përderisa për një deputet shqiptarë votuan edhe mbi 20 mijë votues, për deputetët maqedonas mjaftuan edhe 3-4 mijë votues, gjë që tregon për një padrejtësi të madhe, edhe përkundër arsyetimeve banale që dikush i nxirrte nga sistemi zgjedhor i atëhershëm.

Pra, nga cilado anë që të vrojtohej, manipulimi ishte evident. Siç ishin evidente edhe tendencat që shqiptarët të injorohen e të suspendohen nga përpjekjet e rregullimit kushtetues të Republikës së atëhershme të Maqedonisë, krejt kjo që shqiptarët të konsiderohen si pakicë kombëtare dhe si pakicë t’i gëzojnë ato të drejta që parashihen me dokumente ndërkombëtare.

Bojkotimi i regjistrimit të vitit 1991 nga ana e shqiptarëve ishte vetëm një hyrje në ngjarjet që do të pasojnë më vonë, përkatësisht në lakuriqësimin e politikave antishqiptare, të cilat në shumë raste u ndëshkuan me intervenime brutale të autoriteteve maqedonase, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk mund të pajtohen me realitetin se shqiptarët nuk janë aq sa mendojnë ata, por mjaftueshëm për të qenë të barabartë në një shtet me karakter shumetnik.

Box

Cilat ishin kërkesat e PPD-së dhe PDP-së?

Kryesitë e PPD dhe PDP në mbledhjen e mbajtur më 29 mars, 1991, pas shqyrtimit të normave ligjore, formularëve dhe përgatitjeve për regjistrim, vendosën që regjistrimi i vitit 1991 të bojkotohet, pasi: pyetësorët nuk u shtypën edhe në gjuhën shqipe dhe turke, ndonëse paraprakisht u premtua; nuk u siguruan ekzemplarë – kopje P-2, e cila i mbetet familjes së regjistruar; nuk u bënë korrigjime në përbërjen e komisioneve komunale për regjistrim në raport me personat e emëruar në to dhe përfshirjen adekuate sipas përbërjes nacionale; numri i instruktorëve dhe regjistruesve nuk është në përputhje me përbërjen nacionale të popullatës.

Box

Në regjistrimin e vitit 1991 (1-15 prill), Enti Republikan i Statistikave priste që në këtë regjistrim të përfshihen 3.700.000 njësi, të regjistrohen 2.300.000 banorë, 600.000 familje, 250.000 ekonomi bujqësore, 600.000 banesa etj.

Box

Më 18 prill 1991, Enti Republikan i Statistikës i paraqiti rezultatet e para preliminare, duke njoftuar se në regjistrim u përfshin 1.515.938 banorë ose 70.60 për qind nga popullsia e përgjithshme, u regjistruan 405.739 familje, 462.486 banesa dhe 161.763 ekonomi bujqësore. Sipas drejtoreshës së atëhershme të Entit Republikan të Statistikës, Svetllana Antonovska, ndonëse shqiptarët me ndonjë përjashtim aty- këtu e bojkotuan regjistrimin, Enti Republikan, sipas metodave statistikore, vlerësoi se numri i shqiptarëve në Maqedoni sillej rreth 536 mijë ose jo më tepër se 25 për qind.