Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, e priti në takim veprimtarin nga Kumanova, z. Selami Bajrami, përfaqësues i Shoqatës “Miqtë e Universitetit të Tetovës” në Zvicër.

Në këtë takim morën pjesë edhe Sekretari i përgjithshëm i Universitetit të Tetovës, z. Adem Beadini, dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu, si dhe profesorët Prof. Dr. Zeqirja Idrizi dhe Prof. Dr. Minir Ademi.

Takimi u zhvillua në frymën e vlerësimit të kontributit të personaliteteve dhe veprimtarëve që, në periudha të rëndësishme të historisë së Universitetit të Tetovës, u rreshtuan në mbështetje të misionit të tij arsimor, shkencor dhe kombëtar. Në këtë kuadër, u vlerësua veçanërisht kontributi i z. Selami Bajrami, i cili, së bashku me shumë veprimtarë të tjerë, dhanë mbështetje të çmuar për Universitetin gjatë viteve të vështira të funksionimit, mbijetesës dhe konsolidimit të tij.

Duke e vlerësuar këtë kontribut si pjesë të kujtesës institucionale dhe historike të Universitetit të Tetovës, Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti i ndau z. Selami Bajrami një mirënjohje, në shenjë falënderimi dhe respekti për përkushtimin, mbështetjen dhe kontributin e tij ndër vite.

" "

Me këtë rast, Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti theksoi se Universiteti i Tetovës e konsideron detyrim institucional dhe përgjegjësi historike ruajtjen e kujtesës për të gjithë ata individë dhe veprimtarë që, në momente vendimtare, kontribuuan në themelimin, mbijetesën, forcimin dhe zhvillimin e tij.

“Universiteti i Tetovës nuk është vetëm një institucion arsimor e shkencor; ai është edhe rezultat i një përpjekjeje të përbashkët, e cila në momente të caktuara historike kërkoi përkushtim, sakrificë dhe mbështetje të jashtëzakonshme. Prandaj, kontributet e njerëzve që qëndruan pranë Universitetit në ato periudha duhet të jenë pjesë e pandashme e kujtesës sonë institucionale.”- u shpreh Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Në takim u theksua edhe rëndësia historike e mbështetjes së mërgatës shqiptare për Universitetin e Tetovës. Në këtë drejtim, u vlerësua roli i Shoqatës “Miqtë e Universitetit të Tetovës” në Zvicër, e cila ndër vite ka qenë një nga format e organizuara të përkrahjes së Universitetit dhe ka dhënë kontribut në mbështetjen e veprimtarisë së tij.

Universiteti i Tetovës, duke ruajtur kujtesën për rrugëtimin e tij, vijon të nderojë personalitetet dhe veprimtarët që kanë lënë gjurmë në historinë e tij, duke e konsideruar mirënjohjen ndaj tyre jo vetëm një akt respekti, por edhe një detyrim ndaj kujtesës institucionale dhe brezave të ardhshëm.

sqShqip