May 9, 2024
Maqedoni

Regjistrimi në Pustec: Kur vjen delegacioni nga Maqedonia, deklaroheshin maqedonas, kur vinin nga Bullgaria deklaroheshin bullgarë

Ish-ministri i Arsimit, Genc Pollo udhëhoqi procesin e censusit të vitit 2011 në Shqipëri.

Pollo zbuloi në Çim Peka Live, në Syri Tv, se 97% e atyre që plotësuan censusin deklaruan gjuhën shqipe si gjuhë amtare.

“Censusi i 2011, për të cilin isha ministër përgjegjës, argumenti im ishte se sado të jetë ndikimi, nuk do të ndryshojë thelbësisht. Ne kemi përvojën e pakicës maqedonase në Pustec. Kur shkonte me ndihma një delegacion nga Maqedonia, deklaroheshin maqedonas. Kur shkonte Bullgaria, kanë një rivalitet, deklaroheshin bullgarë. Këto gjëra ndodhin. Megjithatë, argumenti im që u konfirmua nga rezultatet e censusit ishte që, ai që deklaron gjuhën amtare shqiptare, do ta deklarojë. 97% e kanë deklaruar. 3% është një shifër e arsyeshme e pakicave në Shqipëri që konfirmohet edhe nga censuset e bëra gjatë komunizmit dhe para komunizmit. Sado të kemi frikën se do na blejnë shqiptarët, do na i kthejnë në serbë, grekë, turq, italianë, shifrat janë minimale, jo të tilla që të justifikojnë frikën. Në censusin amerikan është 0.3% shifra e atyre që janë deklaruar marsianë. Ka njerëz të përgjegjshëm që e përdorin censusin, por mbetet një pakicë që deklarohet një pakicë e neglizhueshme që gjithmonë do thotë gjëra të çuditshme”, tha Pollo.

Genc Pollo: Himariotët, çështje konkurrence kulturore

Ish-deputeti i PD, Genc Pollo shprehet se banorët e Himarës janë rasti i një komuniteti kulturor në kufi, flasin shqip dhe greqisht, por që çështja e identitetit të tyre gjithnjë do të hapë debate.

Në Çim Peka Live, Pollo tha se tezat për identitetin e himariotëve janë të ndryshme, grekë, venecianë, apo edhe të zbritur nga Mirdita.

Ai e krahasoi Himarën me rajonin e Alzasa mes Francës dfhe Gjermanisë, ku të dy komunitet bashkëjetojnë në harmoni.

“Çështja e identitetit etnik kombëtar, është i mbrujtur me kohën, por edhe me konë evoluan. Shqiptarët, arbërit, ilirët më parë janë shembull historik i këtij evoluimi. Vetëidentifikimi është i vështirë. Është standard europian, por nuk mund të jetë një proces burokratik, është si e ndjen vete njeriu. Për Himarën, nëse janë grekë, venecianë, mirditorë, ka debate të vazhdueshme, është çështje konkurrence e butë kulturore. Himariotët thonë se flasim dy gjuhë, vajet i kemi si shqiptarët, pra janë rasti i një komuniteti kulturor në kufi. Nuk janë të vetmit. Në Europë është Alzasa, ku identiteti francez dhe gjerman, bashkëjetojnë”, u shpreh Pollo.