April 26, 2024
Kosovë

Reagon Avni Dehari: Rasti i Astritit gjithmonë përdoret për synime personale

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht babai i të ndjerit Astrit Dehari, Avni Dehari ka reaguar pas akuzave të bashkëpartiakut Haki Abazi, i cili tha se ekzistojnë video-inçizimet, ku sipas tij shihet se kush i ka zhdukur mostrat e dosjes së tij.

Avni Dehari pyet se pasi Abazi e ka ditur këtë më herët, pse nuk ka reaguar deri sot.

“Rasti i mostrave ka ndodhur më 8.12.2022. Pyetni ata që tash ngritën pse kanë heshtur atëherë dhe pse duan të flasin tani për këtë rast”, deklaron ai.

Ai thotë se arsyet që po i përmend tash ai për mostrat e zhdukura të Astritit janë vetëm synime personale.

“Nuk dua të lëshohem në rrafshin e atyre personave që rastin e Astritit dhe çdo rast tjetër e shfrytëzojnë për realizimin e synimeve personale”, u shpreh Dehari për Front Online, përcjell Klankosova.tv.

Mostrat e Deharit u zhdukën në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar.Nga puna u pezulluan katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).

Ndërkohë, Abazi tha se Prokuroria Speciale duhet të marrë në pyetje kryeministrin Albin Kurti, Dejona Mihali, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutura Gogaj-Bajrami për rastin e mostrave të zhdukura.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren në nëntor të vitin 2016. Ai po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë. Mirëpo, Prokuroria këtë rast e pat cilësuar si vetëvrasje, meqenëse familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.