Raportimi i mediave mbi mospagesën e rrymës në Sllupçan: Energjetika u shndërrua në etnopolitikë
Shkruan: SEFER TAHIRI
Sistemi mediatik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht mediat tradicionale dhe sidomos ato që funksionojnë në sferën onlajn, vazhdon të jetë i dominuar nga raportimi me narrativë etnocentrik.
Siç kemi theksuar, analiza tekstuale dhe e përmbajtjes së mediave shpie tek përfundimi se raportimi përplot paragjykime dhe stereotipa mbi baza etnike dhe fetare kryesisht është i pranishëm tek prodhimet mediatike, të cilat trajtojnë ose janë të ndërlidhura me çështjet ndëretnike apo ndërfetare. Por, kohëve të fundit, hulumtimet kanë treguar dhe argumentuar se raportimi etnocentrik (më shumë) dhe religjiozocentrik (më pak), përfshin edhe çështje që nuk janë ekskluzivisht etnike apo fetare.
Mediat maqedonase – “Nuk hyhet kollaj në Sllupçan”, media shqipe – “viktimizojnë”
Në korrik u riaktualizua sërish çështja e mospagesës së faturave të energjisë elektrike ndaj kompanisë austriake EVN në fshatin Sllupçan të Likovës, i njohur në vitin 2001 si një nga vatrat e konfliktit në Maqedoninë e Veriut. Raportimi mediatik mbi këtë problem u dominua nga stereotipizimi etnik, ngjashëm siç ndodhi me raportimin lidhur me vjedhjen e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut në shtator të vitit të kaluar, ku si shembull tipik u veçua Komuna e Haraçinës.
Përderisa në pjesën më të madhe të mediave në gjuhën shqipe, ngjarja u prezantua në mënyrë objektive dhe korrekte, mirëpo në disa prej tyre edhe me ngjyrime që “viktimizojnë” banorët e Sllupçanit që nuk paguajnë energjinë elektrike, në pjesën më të madhe të mediave maqedonase raportimi ka qenë në vijën e pasqyrimit objektiv të zhvillimeve por me një dozë ironie se EVN-ja nuk mund të hyjë në Sllupçan, duke bërë analogji me faktin që ky fshat gjatë konfliktit të vitit 2001 ka qenë “zonë e lirë”, në të cilën nuk kanë mundur të depërtojnë forcat policore dhe ushtarake të vendit. Nuk ka munguar as raportimi i humorizimit dhe parodizimit të çështjes, i bërë në rrjetet sociale, i cili shpesh mund të shkaktojë reagime me motive etnike.
Siç vërteton portali grumbullues i lajmeve në gjuhën maqedonase Time.mk, pjesa më e madhe e mediave kanë raportuar me formulimin “Sllupçani mbeti pa energji për shkak të vjedhjeve të pakontrolluara, vendasit nuk lejojnë hyrje të ekipeve të EVN-së në fshat“. Por, një pjesë tjetër ka raportuar me titullin “Bllokime në Sllupçan: Banorët djegin goma që të pengojnë hyrjen e ekipeve të EVN-së në fshat“. Mediat raportimin e kanë bazuar tek videoja e publikuar nga TV 21 në rrjetin social në Fejsbuk.
Portali “Plusinfo” që në datën 7 qershor 2023 kishte raportuar rreth pengimit me dhunë të ekipeve të EVN-së nga ana e 200 banorëve të Sllupçanit, që t’i kryejnë aktivitetet e domosdoshme të punës për rikonstruksionin dhe modernizimin e rrjetit elektrik në fshat. Refuzimin e qytetarëve, i manifestuar ndaj ekipeve të EVN-së portali “Plusinfo” e raportoi me titullin “80% e energjisë vidhet, tjetrën nuk e paguajnë? Sllupçanasit i larguan ekipet e EVN-së“. Sipas portaleve “Humbjet e përgjithshme vjetore për shkak të vjedhjes së energjisë në fshatin Sllupçan arrijnë më shumë se një milion euro përkatësisht rreth 6 GW/h. Në përqindje, 80 për qind e energjisë së shpenzuar vjetore vidhet, ndërsa me sukses paguhet vetëm një e treta e 20 përqindëshit“.
Portali “Mkd.mk” theksin në raportim e vuri tek fakti që “EVN-ja nuk mund të hyjë në Sllupçan, banorët kërkojnë t’u falen borxhet“. Mkd.mk raportoi se “Banorët e Sllupçanit likovas sërish nuk i lejuan ekipet e EVN–së të punojnë në rrjet, me kërkesë që t’u falen borxhet e deritashme, të cilat, sipas të dhënave të ndërmarrjes kapin shifrën e disa mijëra eurove“.
Në tituj sulmet fizike prezantohen si fakt i kryer, në raportime nuk dëshmohen
Portali “Makfax” raportoi me titullin “EVN sërish me probleme në Sllupçan: ekipet ballafaqohen me sulme fizike, bllokime për hyrje në fshat“. “Të pasuksesshme janë tentimet për rikonstruksionin e rrjetit të elektroshpërndarjes në Sllupçan, ndërsa ekipet marrin sulme verbale dhe janë edhe cak i sulmeve fizike“. Pra siç shihet në raport flitet për “sulme verbale” dhe “sulme të mundshme fizike”, ndërsa në titull “sulmet fizike” transmetohen si fakt i kryer. Kjo me siguri bën që titulli, duke qenë sensacionalist, të bëhet më i klikuar.
Portali i njëjtë ka raportuar lidhur me shqetësimet e qytetarëve rreth pagesës së energjisë elektrike, edhe para bllokimit, ndërsa titulli i reportazhit ishte “Sllupçani pa dhe me energji: Mllef tek qytetarët, dëme kanë edhe ata që paguajnë fatura, njëri bëri thirrje që të digjet EVN“.
Por, ky portal, reportazhin në kanalin zyrtar të tij në Jutjub e transmetoi me titullin “Sllupçani dhe energjia: Mllef tek banorët, thirrje që të digjet EVN“, ndërsa në përmbajtjen mediatike vetëm një person bën thirrje që të digjet kompania austriake.
Edhe portali “Republika” raportoi për “Sulme fizike dhe bllokime për ekipet e EVN: Sërish pengohen nga banorët e Sllupçanit që të arrijnë te trafoja“. Por brenda raportit nuk faktografohen “sulmet fizike”, siç qëndron në titull, ndërsa thuhet se “Punëtorët e Elektroshpërndarjes shkurt hynë në Sllupçan, që të punojnë në rrjet, por për një çast u ballafaquan me turmën e qytetarëve të mllefosur, të cilët më vonë e bllokuan rrugën. Banorët kanë kërkesa të tyre, midis të cilave më kryesore është shlyerja e borxheve. Nga EVN–ja pohojnë se borxhet numërohen në disa miliona euro“.
Përderisa mediat raportojnë se shuma e borxheve është rreth një milion euro, ky portal dezinformon se kjo shumë është disa miliona euro.
Energjia elektrike në Sllupçan ndërlidhet me 2001-shin dhe integrimin evropian
Portali “Expres.mk”, duke dhënë ngjyrime më të theksuara etnike, raportoi me titullin “Kush paguan për energjinë e shtrenjtë nga reflektorët e fuqishëm të përmendores së UÇK-së në Sllupçan” dhe publikoi imazhin e ndriçuar të përmendores. Sipas këtij portali “Përplasja e banorëve të Sllupçanit dhe ekipeve të EVN-së për faturat e papaguara të energjisë në këtë fshat kumanovar, nxori në sipërfaqe një pyetje tjetër, të cilën deri më tani askush nuk e ka përmendur dhe për të cilën pa e ditur me siguri paguajnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë“.
Në temën e njëjtë portali “Deneshen” (E sotmja) raportoi me titullin “Fatura për energji pa hanxhiun: Kush i paguan reflektorët e përmendores së UÇK-së në Sllupçan, e cila kërkon që të jetë falas edhe për xhamitë“.
Sllupçani u bë temë e ndërlidhur madje edhe me integrimin evropian. Gazetarja e mirënjohur Katerina Bllazhevska shkroi koment me titull “BE via Sllupçan“, i publikuar në portalin “Prizma”, prodhim i Rrjetit Ballkanik Reporterial Hulumtues (BIRN):
“Që ta lëvizin vendin kah BE, partitë patjetër duhet të pajtohen se do të shkojnë rrugës së njëjtë. Dhe se të gjithë dhe gjithkund do të vlejnë standardet e njëjta. Sepse, nuk kemi si të hymë në BE, nëse pa shoqërimin e policisë nuk mund të hymë as në Sllupçanin tonë. Ose shteti të merr pagesën e tatimit në Haraçinë”, shkruan Bllazhevska.
Shumë media shqipe me raportim apologjetik
Ngjarjet në Sllupçan në mediat shqipe kryesisht janë raportuar në mënyrë objektive dhe korrekte, edhe pse është vërejtur një nuancë apologjetike ndaj banorëve të Sllupçanit.
Sa i përket balancimit, përveç banorëve të këtij fshati, hapësirë e madhe mediatike u është dhënë edhe qëndrimeve të kompanisë EVN, që mund t’i atribuohet edhe faktit se kjo kompani reklamohet në shumë media, që në një mënyrë flet për praninë e klientelizmit në sistemin mediatik.
Televizioni Alsat raportoi me titull korrekt “Banorë të Sllupçanit kanë shkatërruar trafostacionet dhe kanë lënë një pjesë të madhe të rajonit të Likovës pa rrymë.”
Raporti fokusohet tek njoftimi i EVN-së, në të cilin thuhet “Pas bllokadës së plotë të sotme për të mos lejuar sërish ekipet e Elektrodistribuimit të punojnë, banorët e Sllupçanit shkatërruan trafostacionet e furnizimit me energji elektrike dhe shkaktuan defekt të shkallës më të lartë, që la pa energji elektrike banorët e fshatit dhe më gjerë, njoftojnë nga EVN“.
Ndërsa portali “Lideri” raportoi duke dramatizuar dhe me qasje sensacionale: “LAJMI I FUNDIT: EVN me polici dhe njësitë speciale po tenton të futet në Sllupçan.” Ky portal shkruan se “Kompania energjetike EVN-Maqedonia ka bërë kërkesë për përforcim dhe shoqërim të policisë me qëllim futjen në Sllupçan të Kumanovës dhe ti vënë orëmatësit jashtë shtëpive. Madje, banorët thonë se, përveç policëve të uniformuar, po priten edhe pjesëtarë të Njësiteve Speciale“.
Gazeta e përditshme “Koha” ka raportuar me titullin “FSHATI SLLUPÇAN PA RRYMË! “Po trajtohemi si popull i xhunglave e jo i Evropës.” Kjo media citon banorin e këtij fshati, Fejzulla Arifi, i cili ka thënë se “Nëse vazhdon kështu edhe ditët në vazhdim, atëherë nënkuptohet se ne vërtetë po trajtohemi si popull i xhunglave e jo i Evropës. Ky veprim është në kundërshtim me të gjitha ligjet vendore dhe ato ndërkombëtare, thjeshtë është sulm në të drejtat themelore të njeriut të garantuara me Konventën e OKB- së“. Në një shkrim tjetër, kjo media, e ka prezantuar si hakmarrje vendimin e EVN-së për ndërprerjen e energjisë elektrike në disa fshatra : “EVN hakmerret, e lë Likovën në terr.”
Një portal i ri me emrin “Tvnews” ngjarjen e ka interpretuar ekskluzivisht nga prizmi etnik. Raportoi me titullin “EVN me qasje diskriminuese: banorëve shqiptarë do që t’ua vendosë orëmatësit jashtë shtëpisë ndërsa maqedonasve jo“. Portali në raport bën përzierjen e zhanreve: lajm (fakt) dhe koment (mendim) meqë komenton se “Banorët e Sllupçanit e ndjejnë veten të diskriminuar sepse orëmatësit po vendosen jashtë shtëpive vetëm në pjesën ku jetojnë shqiptarët.”
Përzierje të lajmit dhe komentit ka bërë edhe portali “Zhurnal”. Në përmbajtjen me titull “Pse kur i nevojiten tensione politikës, çdo herë ngacmohet Sllupçani dhe shqiptarët e Kumanovës?!” shkruan:
“Banorët e këtij fshati edhe një herë e parashtruan një dilemë legjitime. Duke treguar se nuk janë kundër vendosjes së orëmatësve, ata thanë se do ët lejojnë vendosjen e tyre kur të mbarojë një gjë e tillë në fshatrat e banuar vetëm me maqedonas dhe serbë, si në Umindoll, Ljubidrag, Novo Sellë, Reçicë, Rezhanovcë…
Ndaj kësaj dileme nuk ka përgjigje nga kompetentët. A është e vërtetë se në fshatrat e banuar vetëm me maqedonas dhe serbë, si në Umindoll, Ljubidrag, Novo Sellë, Reçicë, Rezhanovcë nuk janë vendosur orëmatësit ashtu siç duhet të vendosen në Sllupçan? Nëse nuk është e saktë kjo dilemë e shprehur nga banorët e Sllupçanit, atëherë të dilet e të thuhet me argumente se nuk është e saktë. Nëse është e saktë, atëherë të tregohet se pse bëhet një selektim i tillë, që në disa fshatra të vendosen orëmatësit, e në disa jo”.
Paroditë e rrjeteve sociale publikohen në portale
Zhvillimet në Sllupçan në rrjetet sociale kanë shkaktuar edhe reagime me doza humori apo parodie, duke i dhënë kontekst të këtillë kërkesës së banorëve që shuma maksimale e faturave të energjisë të jetë 3 000 denarë.
- “Paramendo hyn në market dhe u thua jam nga Sllupçani, fatura maksimalisht të jetë 3 mijë denarë, kuptuat” (portali Skopje1, 27 korrik, 2023).
- “Lepa Brena dhe Boba kanë vjedhur rrymë elektrike, kanë shtëpi në Sllupçan me siguri” (portali Reporter, 27 korrik, 2023)
Portali “Reporter” transmetonte një koment në rrjetin social Twitter, i cili bënte parodi me lajmin për vjedhjen e energjisë elektrike nga këngëtarja e njohur e estradës ish-jugosllave Lepa Brena.
Përfundime
Mediat e vendit nuk raportojnë me diskurs dhe narrativa etnocentrike dhe religjioze vetëm për çështje etnike dhe fetare, por hulumtimet tregojnë se këto fenomene janë të pranishme edhe kur raportohet dhe trajtohen çështje të cilat janë joetnike.
Çështjeve të cilat janë problematike, siç është vjedhja e energjisë elektrike apo mospagesa e faturave shpesh u jepet dimension etnocentrik, përkatësisht raportim me stereotipa etnikë.
Në pjesën më të madhe të mediave maqedonase është vërejtur dhe evidentuar raportim që kryesisht bazohet tek objektiviteti dhe balancimi, por në disa prej tyre është vërejtur raportim tendencioz, i përcjellë me tone ironike dhe parodike, që rezulton tek fakti që EVN-ja nuk mund të hyjë në Sllupçan dhe tek fakti që banorët kërkojnë që të mos paguajnë fatura më të larta se 3000 denarë.
Ndërsa në mediat shqipe, edhe pse (ndoshta për arsye klienteliste) u është dhënë hapësirë e konsiderueshme qëndrimeve dhe vlerësimeve të kompanisë austriake EVN, mbizotëron konstatimi se raportimi ka qenë në masë të madhe objektiv dhe korrekt. Megjithatë nuk kanë munguar as komentet etnopolitike ndaj problemit energjetik, ndërsa disa prej tyre kanë parë tendenca diskriminuese apo antishqiptare nga kompania, që në sfond kishin apologjinë e reagimeve të banorëve, madje edhe viktimizimin e atyre që nuk paguajnë energjinë për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, përkatësisht papunësisë dhe varfërisë.
(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)
—-
Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut