April 30, 2024
Maqedoni

LAJMI I FUNDIT: EVN me polici dhe njësitë speciale po tenton të futet në Sllupçan

Kompania energjetike EVN-Maqedonia ka bërë kërkesë për përforcim dhe shoqërim të policisë me qëllim futjen në Sllupçan të Kumanovës dhe ti vënë orëmatësit jashtë shtëpive. Madje, banorët thonë se, përveç policëve të uniformuar, po priten edhe pjesëtarë të Njësiteve Speciale.

“Duket se kanë vendosur me provoku rëndë nëse na futen me policë dhe njësitë speciale. Nuk duam probleme, këtë duhet ta dije gjithkush, sepse po shihet se vet provokojnë që ne të eskalojmë situatën. E përsëritim se nuk jemi kundër orëmatësve, por do të vihen tek ne kur të mbarojnë në fshatrat e banuar vetëm me maqedonas, si në Umindoll, Ljubidrag, Novi Sellë, Reçicë, Rezhanovc…”, thonë banorët e Sllupçanit.

Ndryshe, sot në orët e hershme të mëngjesit, Ekipe të shumta të EVN-Maqedoni kanë tentuar të futen në fshatin Sllupçan të Likovës dhe të vënë orëmatësit jashtë shtëpive, përkundër marrëveshjes ditë më parë mes banorëve dhe drejtorisë së EVN-së që, të përmbyllen bisedimet konkrete dhe më pas, të lejohen aktivitetet punuese të kompanisë energjetike.