May 24, 2024
Maqedoni

Rama me kritika për procesin e Berlinit, Bërnabiq nuk pret asgjë nga samiti

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama fjalimin e tij në nisje të Samitit të Procesit të Berlinit, e filloi me kritika. Përpara liderëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, ai tha se ky proces ka 9 vite që ka nisur, mirëpo pavarësisht kësaj, shumë premtime nuk janë realizuar.

Rama vijoi fjalimin e tij duke thënë se kohët në të cilët po jetojmë janë vërtetë delikate me fronte luftë që janë nisur, e ndërsa kërcënime të tjera vijojnë në Ballkan, e për rrjedhojë, sipas tij, ajo që duhet bërë është bashkimi “në një çati” të përbashkët.

Edi Rama, kryeministër

“Në 2014 udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor u takuan në Berlin dhe shënjoi një moment historik për këtë rajon. Udhëheqësit e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor u bashkuan për herë të parë në historinë e fqinjësisë sonë, jo për të diskutuar interpretimet e ndryshme e një të shkuare të përbashkët, por për tu nisur në një rrugëtim bashkëpunues drejt një objektivi domethënës të përbashkët për ta transformuar këtë rajon të pazhvilluar, të traumatizuar në një zonë që pasqyron 4 liritë e BE-së: lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimit e kapitalit”.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryesuesit të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth, i ka thënë se e dialogu nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë, pasi sipas tij, duhet të merret parasysh veprimi agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit. Gjatë takimit, në kuadër të Procesit të Berlinit, Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist për të cilin tha se ka dëshmi e fakte të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë.

Qeveria e Kosovës

“Qasja në proces duhet të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet në plotni Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj. Serbia të zmbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike, të cilat kanë të bëjnë me njohjen defacto të Kosovës dhe integritetin tonë territorial”.

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq në hyrje të Samitit ka deklaruar se nuk pret diskutime të lehta në Samitin e Procesin e Berlinit në Tiranë.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, për situatën mes Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës dëshmon faktin se Kosova e Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjen e dakorduar. Kurse presidenti i Këshillit të Evropian Charles Michel është shprehur se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund ta mbajnë peng rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.