May 8, 2024
Maqedoni

Mexhiti: Kemi siguruar fonde shtesë për një numër më të madh të pacientëve me fibrozë cistike që duhet të marrin “Trikafta”

Ministri i Shëndetësisë, d-r. Fatmir Mexhiti, sot ka zhvilluar takim me përfaqësues të Shoqatës së fibrozës cistike. Në takim, ministri dhe përfaqësuesit e Shoqatës folën për disa tema aktuale që kanë të bëjnë me pacientët me fibrozë cistike dhe përpjekjet për tejkalimin e tyre. Javën e kaluar, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i Republikës së Maqedonisë së Veriut siguroi mjete shtesë për ilaçin “Trikafta” për një numër shtesë të pacientëve me fibrozë cistike. Me këtë buxhet shtesë do të rritet ndjeshëm numri i pacientëve për të cilët Komisioni i ekspertëve do të vendosë që të marrin terapi. Për pacientët që do të trajtohen me ilaçin “Trikafta”, vendos komisioni i ekspertëve i ngritur nga ministri i Shëndetësisë dhe vendimet merren sipas protokollit të përgatitur. Bashkëbiseduesit në takim biseduan edhe për rindërtimin dhe pajisjen e Qendrës për fibrozë cistike në ISHP Institutin për sëmundje të mushkërive te fëmijët, Kozle, Shkup, për të cilën Ministria e Shëndetësisë mori ndihmë financiare nga Republika Popullore e Kinës. Ministri Mexhiti në takim theksoi se Qendra do të jetë objekt bashkëkohor i ndërtuar sipas standardeve evropiane, ku do të ofrohen shërbime bashkëkohore shëndetësore për pacientët me këtë sëmundje, si dhe kushte të shkëlqyera për stafin shëndetësor për të punuar me pacientët.