Përparim Rama ka dalë në mbështetje të protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, e cila do të mbahet më 18 maj para Urës së Gurit në Shkup, për të kërkuar respektimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e Jurisprudencës.

Përmes një mesazhi publik, Rama theksoi se gjuha shqipe nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese dhe themelore e çdo shqiptari në Maqedoninë e Veriut.

“Më 18 maj, para Urës së Gurit në Shkup, studentët ngrihen për të mbrojtur dinjitetin, identitetin dhe të drejtën e tyre legjitime. Kjo nuk është vetëm një betejë studentore, është një kauzë kombëtare dhe demokratike”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Prishtinës ka bërë thirrje që shqiptarët, pa dallim partie apo ideologjie, të qëndrojnë pranë studentëve dhe të kërkojnë zbatimin e ligjit dhe respektimin e gjuhës shqipe.
“Heshtja përballë diskriminimit është bashkëfajësi. Sot është koha që të gjithë shqiptarët të qëndrojnë krah studentëve dhe të kërkojnë me një zë: ligji të zbatohet dhe gjuha shqipe të respektohet”, thuhet në reagimin e Ramës.

Ai ka theksuar se mohimi i gjuhës nënkupton mohim të identitetit dhe se cenimi i identitetit rrezikon vetë barazinë në shoqëri.
Në fund të mesazhit të tij, Përparim Rama ka shprehur mbështetje të drejtpërdrejtë për studentët shqiptarë me porosinë: “Prishtina është me ju”. (koha.

sqShqip