April 29, 2024
Maqedoni

Rama kërkon mirëkuptim për Serbinë që nuk sanksionoi Rusinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për “Politico”, ka kërkuar mirëkuptim ndaj Serbisë, i cili është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka vënë sanksione ndaj Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainë.

Ai tha se beson se Serbia duhej të vendoste sanksione me kalimin e kohës, por tha se është kundër nxitjes së Beogradit, i cili është shumë i varur nga Moska për furnizimet me energji.

“Duhet të kuptoni se Serbia është në një pozicion shumë të ndryshëm nga shumë të tjerë, për shkak të historisë së saj, për shkak të lidhjeve të veçanta me Rusinë. T’u kërkosh që ta bëjnë tani, dhe në të gjithë diapazonin, është praktikisht e pamundur… Është vetëvrasëse për ekonominë e tyre. Ushtrimi i tepërt i presionit perëndimor mbi Serbinë mund të jetë i dëmshëm për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, paralajmëroi Rama. “Mendoj se Serbia është në rrugën e duhur. Sigurisht, jo me shpejtësinë që mund të na pëlqejë apo mund të dëshirojmë. Por, më besoni, skenarët e tjerë janë vërtet shumë të këqij për të gjithë dhe, veçanërisht, për këtë rajon”.

Rama, në të njëjtën intervistë, tha se nuk pret që një samit i BE-së, që do të zhvillohet javën e ardhshme, t’i hapë rrugën vendit të tij për të filluar bisedimet e anëtarësimit dhe për këtë ai fajësoi Bullgarinë.

Të gjitha qeveritë e BE-së ranë dakord që në mars 2020 t’i hapin Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dritën jeshile për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.

Por, negociatat nuk kanë nisur ende pasi Bullgaria këmbëngul se donte lëshime nga Maqedonia e Veriut në mosmarrëveshjet dypalëshe për sa i takon gjuhës, historisë dhe identitetit.

Megjithëse bllokada e Sofjes vlen vetëm për Maqedoninë e Veriut, BE-ja ka favorizuar trajtimin e përbashkët të ofertës së anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, kështu që edhe Shqipëria është në fakt e bllokuar.

BE-ja ia ka dhënë këtë status Maqedonisë së Veriut në 2005 dhe Shqipërisë në 2014, megjithatë nuk ka arritur as të fillojë bisedimet me ndonjë prej këtyre vendeve.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz vizitoi Bullgarinë javën e kaluar në një përpjekje për të kapërcyer bllokadën e Sofjes përpara samitit të ardhshëm në Bruksel, që zhvillohet të enjten dhe të premten e javës së ardhshme.

“Nuk kam asnjë pritshmëri. Unë mendoj se asgjë nuk do të ndodhë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të hapin zyrtarisht bisedimet për anëtarësim”, thotë ai.

I pyetur nëse ndonjë lider i BE-së kishte sinjalizuar se bisedimet mund të fillojnë së shpejti, Rama u përgjigj se “çfarë sinjalesh mund të japin? Kjo nuk ka të bëjë me ta. Përsëri, bëhet fjalë për Bullgarinë. Të gjithë janë dakord, të gjithë mbështesin, të gjithë mendojnë se kjo duhet të ndodhë dhe kjo duhet të kishte ndodhur tashmë. Por, kufiri i tyre i manovrimit është i kufizuar nga Bullgaria.”

Rama thekson se nuk priste që udhëheqësit bullgarë të ndryshonin qëndrimin e tyre, pasi ata i kishin bërë mosmarrëveshjet një çështje kaq të madhe sa ishte shumë e vështirë të tërhiqeshin.

“Është një spirale. Ata kanë hyrë në një spirale. Dhe nga kjo spirale, është shumë, shumë e vështirë të dalësh”, deklaroi Rama, i cili do të marrë pjesë në një takim të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Bruksel përpara samitit.