May 10, 2024
Maqedoni

Gruevski demanton: Nuk jam takuar as me Maksim Dimitrevskin as me Artan Grubin

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski i cili ndodhet në arrati në Budapest të Hungarisë ka demantuar pretendimet e kryetarit të Kumanovës Maksim Dimitrevski se ai ka takuar zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi për të diskutuar mbi ndryshimet në Kodin Penal, informon Indeks.mk

“Mohoj se jam takuar me Artan Grubin apo Maksim Dimitrievskin në Budapest. Herën e fundit që e kam takuar Artan Grubin ka qenë në selinë e VMRO-DPMNE-së në fillim të vitit 2017 i shoqëruar nga Ali Ahmeti. Maksim Dimitrievski ka marrë udhëzime…., për të shpikur takimet e mia të supozuara, nuk mbaj mend ta kem takuar ndonjëherë në jetën time atë”, ka shkruar Gruevski në demantin e tij në rrjetin social “Facebook”.

Ai po ashtu demanton se ka gisht edhe në iniciativën e kryetares së Shkupit për formimin e partisë së re “Drejtësia” (Pravda), për të cilën thotë se ka marrë vesh nga mediat.

Kryetari i Kumanovës – Maksim Dimitrievsk ka akuzuar zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi se është takuar me ish-kryeministrin Gruevski në Budapest të Hungarisë për të diskutuar për ndryshimet në Kodin Penal.

Pas këtyre akuzave i menjëhershëm ka qenë reagimi i zëvendëskryeministrit Grubi i cili ka kërkuar nga Dimitrevski të kërkojë falje publike, pasi që në të kundërtën do ta padisë për shpifje. Meqë në afatin e paraparë ligjor prej 24 orësh nuk ka kërkuar falje publike, zëvendëskryeministri Grubi është deklaruar se nuk do ta komentojë më Dimitrevski dhe se me të le të merret gjyqësia.

“Asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në Budapest të Hungarisë…” – ka deklaruar Grubi.

Ish kryeministri Nikolla Gruevski ndodhet në arrati në Budapest të Hungarisë për shkak se nga institucionet vendore të drejtësisë kërkohet për vuajtjen e dënimit me burg për disa vepra të kryera penale.