May 7, 2024
BallinaMaqedoni

Qeveria e re VMRO-VLEN -ZNAM?! Taravari: Edhe VMRO e ka kuptuar ku qëndron pesha e votës shqiptare

VMRO-DPMNE, VLEN dhe Lëvizja Znam ka mundësi që ta formojnë Qeverinë e ardhshme të Maqedonisë së Veriut. Duke u bazuar nga numri i votave që ka fituar secila prej tre partive apo koalicioneve, kjo treshe mund të formojë një shumicë stabile madje deri në 75 deputetë. Për kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, partner më i dëshirueshëm për bashkëqeverisje është opozita shqiptare, VLEN. Për këtë, më 24 prill, Mickoski tha se e ka marrë në telefon Arben Taravarin duke i uruar zgjedhje të suksesshme parlamentare, me shpresë që bashkë të formojnë Qeverinë e ardhshme.

“U dëgjova me opozitën shqiptare, me z.Arben Taravarin. I urova për rezultatin dhe i urova zgjedhje të suksesshme parlamentare dhe qeveri të ardhshme në Maqedoni”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

E oferta e Mickoskit për bashkëqeverisje, për Taravarin do të thotë se edhe VMRO e ka kuptuar peshën e votës shqiptare. Megjithatë siç ka shkruar Taravari në Facebook profilin e tij, fokusi i tyre është që të punojnë më fuqishëm për zgjedhjet e 8 majit, që të marin numër sa më të madh të deputetëve.