June 21, 2024
Maqedoni

Prokuroria refuzon padinë kundër Teuta Arifit

Prokuroria e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hedhur poshtë padinë e kryetarit të komunës së Tetovës, Bilall Kasami ndaj ish kryetares, Teuta Arifi për shpërdorim të detyrës. Kasami tha se refuzimi i padisë është rezultat i zgjedhjes së Islam Abazit në krye të prokurorisë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kasami tha se për këtë rast ka informuar të gjitha ambasadat e huaja në vend dhe se për luftimin e korrupsionit nevojitet ndërhyrje më agresive nga SHBA-të.

“Sikur për ironi të fatit, ditën e premte, javën që kaloi nga Prokuroria për Krim të Organizuar na erdh përgjigja e parë që refuzohet padia të cilën e ka ngritur komuna e Tetovës kundër nënkryetares së BDI-së. Pra, rezultati i një prokurori nga Zajazi doli, gjashtë muaj është mbajtur në sirtarë ajo padi dhe kur erdhi ai menjëherë e ka refuzuar, për këtë janë të njoftuara ambasadat, më konkretisht ambasada e SHBA-ve dhe ne besojmë fuqishëm që vetëm me një intervenim më agresiv ashtu siç ishte edhe në deklaratën e tyre, do të mundet që korrupsioni dhe keqpërdorimi i pozitës në RMV ta vënë nën kontroll”.

“Bëhet fjalë për lëndën për kontratat në vepër, arsyetimi është absurd, antiligjor, arsyetimi është se nuk janë mjete buxhetore por janë mjete të komunës, sikur mjetet e komunës nuk janë mjete të qytetarëve”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës. Alsat.mk