Prokuroria gjermane jep detaje për bastisjen e banesave të dy shqiptarëve rreth sulmit në Vjenë
Policia gjermane të mërkurën i bastisi banesat e dy bashkëpunëtorëve të dyshuar të sulmuesit Kujtim Fejzulai, i cili në nëntor të vitit të kaluar vrau 4 persona në qendër të Vjenës para se të vritej nga forcat e sigurisë.
Prokurorët gjermanë thanë se policia i bastisi banesat e shtetasit kosovar, Blinor S., dhe shtetasit gjerman, Drilon G., të cilët dyshohet se nuk kanë raportuar për planet për sulme te autoritetet, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Sipas prokurorëve, të dyshuarit kishin pikëpamje radikale islamike dhe ishin në kontakt të ngushtë me sulmuesin përmes rrjeteve sociale. Sidoqoftë, asnjë person nuk u arrestua gjatë bastisjeve.
Zyra e Prokurorit në Gjermani tha se dy burrat, të cilëve iu bastisën banesat, kishin udhëtuar për në Vjenë pak kohë pasi sulmuesi Kujtim Fejzulai e kishte siguruar armën e përdorur në sulm dhe kishin qëndruar në banesën e tij për disa ditë në korrik të vitit të kaluar.
Reklamë
Autoritetet gjermane thonë se të dyshuarit të paktën do të duhej të kenë besuar se ishte e mundshme që Fejzulai do të kryente një sulm, por kishin dështuar që planet e tij t’i raportonin tek autoritetet.
Pas sulmit të nëntorit, të dyshuarit ishin përpjekur që t’i fshihnin lidhjet me sulmuesin duke i fshirë bisedat dhe kontaktet me të në telefona dhe në rrjete sociale, tha Zyra e Prokurorit.
Ndryshe, Austria ka pranuar se gabime të patolerueshme të inteligjencës janë bërë në fushën e inteligjencës sa i përket trajtimit të sulmuesit, i cili ishte i dënuar me 22 muaj burgim për lidhje me një organizatë terroriste.