Universiteti i Tetovës ka shënuar një tjetër sukses në fushën e kërkimit shkencor. Prof. Dr. Kimet Jusufi nga Departamenti i Fizikës është përfshirë në listën vjetore “Top 2% Scientists 2026”, e cila përfshin studiuesit me ndikimin më të lartë në komunitetin shkencor botëror, transmeton Zhurnal.mk.

Sipas Universitetit të Tetovës, në këtë renditje Prof. Dr. Jusufi është pozicionuar i pari ndër studiuesit nga Maqedonia e Veriut të përfshirë në listë.

Renditja bazohet në tregues bibliometrikë që matin ndikimin e publikimeve dhe veprimtarisë kërkimore-shkencore të studiuesve. Universiteti i Tetovës vlerëson se përfshirja e Jusufit në këtë listë dëshmon për jehonën dhe ndikimin e punës së tij në komunitetin shkencor ndërkombëtar.

Për Universitetin e Tetovës, kjo arritje përbën një vlerësim të rëndësishëm dhe një dëshmi të përkushtimit të vazhdueshëm ndaj kërkimit shkencor, ekselencës akademike dhe afirmimit ndërkombëtar të veprimtarisë shkencore.

" "

“Ky sukses është edhe burim krenarie dhe frymëzimi për studentët, studiuesit dhe brezat e rinj akademikë, sepse dëshmon se puna cilësore mund të arrijë nivele të larta të vlerësimit në arenën shkencore ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Universitetit të Tetovës.

Universiteti e ka përgëzuar Prof. Dr. Kimet Jusufin për këtë arritje dhe për kontributin e tij në zhvillimin dhe afirmimin e shkencës, duke theksuar edhe rolin e tij në rritjen e prestigjit ndërkombëtar të Universitetit të Tetovës.

Sipas burimit të cituar nga universiteti, TOPSCINET, renditja është bazuar në të dhënat e Elsevier Data Repository.

sqShqip