Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, përmes Sektorit për Krime Kompjuterike dhe Forenzikë Digjitale, ka ngritur kallëzim penal pranë Prokurorisë Themelore Publike në Tetovë kundër E.A., 20 vjeç, nga fshati Reçicë e Madhe, në rajonin e Tetovës.
I riu dyshohet për veprat penale të mashtrimit kompjuterik, keqpërdorimit të të dhënave personale dhe prodhimit e shpërndarjes së materialeve pornografike me fëmijë.
Rasti u zbulua pas një hetimi të koordinuar ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Byrosë Federale të Hetimeve të Shteteve të Bashkuara (FBI). Hetimi nisi nga informacionet e siguruara prej FBI-së dhe kishte për qëllim zbulimin e aktiviteteve kriminale në platformën ilegale online „OLVX“.
Sipas provave të siguruara, i dyshuari dyshohet se gjatë periudhës 2023–2025 ka administruar domene dhe faqe interneti të lidhura me këtë platformë. Aty shiteshin të dhëna digjitale të vjedhura, kredenciale për hyrje në llogari dhe rrjete kompjuterike, si dhe mjete e shërbime për kryerjen e krimeve kibernetike.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë funksionimit të platformës janë ofruar më shumë se 1.500 kredenciale të vjedhura për hyrje në sisteme.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu se gjatë viteve 2025–2026, i dyshuari dyshohet se ka administruar grupin ilegal online „ONEMILI“ në aplikacionin Telegram. Në këtë grup ofroheshin mjete softuerike dhe shërbime për krime kompjuterike, përfshirë mashtrime që lidhen me kthimin e paligjshëm të parave.
Autoritetet thonë se kanë siguruar edhe prova se i dyshuari, përmes Telegramit, ka siguruar dhe mbajtur për vete materiale që përmbajnë abuzim seksual ndaj fëmijëve.
Sipas ministrisë, ky është operacioni i parë i përbashkët dhe i koordinuar kundër krimit kibernetik ndërmjet MPB-së së Maqedonisë së Veriut dhe FBI-së.
Autoritetet theksojnë se bashkëpunimi ndërkombëtar është i rëndësishëm për zbulimin dhe luftimin e krimit të organizuar kompjuterik, mbrojtjen e të dhënave personale dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve në hapësirën digjitale.
Ministria shton se hapësira digjitale nuk duhet të shërbejë si strehë për veprimtari kriminale.
Shënim: Personi për të cilin bëhet fjalë është i dyshuar dhe kallëzimi penal nuk nënkupton se fajësia e tij është vërtetuar nga gjykata.

