April 27, 2024
Kosovë

Plani i hartuar në Ohër për rrëzimin e Albin Kurtit deri në shtator, dyshohet se ka edhe incizime!

Dyshohet se ka edhe incizime, Rama tha në Ohër se ‘do ta rrëzoj Kurtin deri në shtator’

Gazeta Nacionale përmes burimeve të saj ka marrë disa të dhëna mjaft rënduese e shqetësuese që prekin në mënyrë direkte raportet mes Qeverisë Kurti dhe Qeverisë Rama. Kësaj here, “bomba” është plasur nga kryeministri i Shqipërisë.

Burime të gazetës Nacionale kanë bërë të ditur se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur në mënyrë të papranueshme në lidhje me Qeverinë Kurti II në një prej takimeve të mbajtura në Ohër në kuadër të Samitit të Ballkanit të Hapur.

“Do ta rrëzoj Albin Kurtin (nga pushteti) deri në shtator,”- është fjalia që ka dalë nga goja e kryeministrit shqiptar, dhe që është thënë para disa prej funksionarëve shqiptarë që ishin pjesë e takimit të Ohrit.

Ky takim është mbajtur më datën 8 qershor.

Në Samitin e Ballkanit të Hapur i pranishëm ishte edhe kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, lideri i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, zv. Kryeministri i qeverisë maqedone Artan Grubi dhe të tjerë funksionarë shqiptarë në tri qeveritë e shteteve tona fqinjë (Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut).

Për fjalët e thëna nga Rama në këtë takim, burimet i kanë thënë Nacionales se madje ekziston edhe një audio-inçizim.

Një tjetër mbledhje duket se do të ndodhë në lokalin Soma në Prishtinë.

Kryeministri i Shqipërisë ka ftuar disa eksponentë që i sheh si kundërshtarë të kryeministrit Kurti në një ndenjë joformale.

Si duket, kreu i Ekzekutivit shqiptar ka nisur edhe të materializojë fjalët e thëna më 8 qershor në Ohër.

Burime të Nacionales kanë bërë të ditur se ky takim në Soma do të organizohet nga gazetari Baton Haxhiu. Pikërisht Haxhiu ishte bërë mollë sherri në takimin e parë zyrtar të Kurtit si kryeministër më 11 shkurt të vitit 2020 sa ishte pjesë e Qeverisë Kurti I.

Në këtë takim, thonë burimet, Kurti i kishte kërkuar Ramës që të distancohej nga gazetari Baton Haxhiu pasi sipas tij ai po “helmonte marrëdhëniet mes tyre”. Kryeministri Rama është shprehur jashtëzakonisht i pezmatuar.

Në daljen e tyre para gardës kombëtare, asnjëri nuk kishte mundur ta fshihte acarimin e madh që kishin pasur me njëri-tjetrin.

Kryeministri Albin Kurti, në prillin e vitit të kaluar u bë edhe zyrtarisht kundërshtar i Edi Ramës në Shqipëri duke garuar në zgjedhjet parlamentare shqiptare me tre kandidatë për deputetë.

Rama nuk kishte dhënë ndonjë koment të ashpër negativ në lidhje me përfshirjen e Kurtit në politikën e brendshme të Republikës së Shqipërisë, por marrë parasysh zotimin e lartpërmendur e bërë më 8 qershor në Ohër, del se nuk e ka pritur aspak mirë.

Kryeministri i Shqipërisë, komentojnë burimet e Nacionales, po shoqërohet me eksponentë të ndryshëm që janë armiqësorë ndaj Qeverisë së Albin Kurtit.

Ai sot ka vizituar Kosovën dhe nesër pritet të jetë pjesë e mbledhjes së dy qeverive Kosovë-Shqipëri, por në një atmosferë aspak të mirë për shkak të raporteve ndër-personale.

Rama ka vizituar disa biznese të biznesmenëve Devolli, që në të kaluarën ishin piketuar si “oligarkë” dhe monopolizues nga ana e kryeministrit të Kosovës. Ndërkohë që pritet të takojë edhe familjarët e ish kundërshtarëve politikë të Kurtit që ndodhen të paraburgosur në Hagë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit. Ditë më parë, Tirana ia doli të merrte nga Prishtina festivalin Sunny Hill që organizohet nga Dukagjin Lipa, babai i pop-yllit kosovar, Dua Lipa. Edhe në lidhje me këtë çështje ka pasur përplasje mes eksponentëve të të dyja qeverive.

Kurti e nisi sherrin
Përkundër që deklarata e Ramës është e papranueshme, sherri mes tij dhe kryeministrit Kurti nisi qysh moti – madje para se të bëhej kërkesa për distancimin nga Baton Haxhiu dhe para se të garohej në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri.

Zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes si Elvis Hoxha, Boiken Abazi, Arbër Zaimi, Hysamedin Feraj e të tjerë, vazhdimisht kanë kritikuar e sulmuar politikisht qeverinë e Edi Ramës.

Kritik ndaj Ramës ishte shfaqur edhe vet kryeministri Albin Kurti, por megjithatë duke mos pasur deklarata publike të kësaj përmase.

Ndërkohë, edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani është kritikuar për qëndrimin e saj ndaj Ramës dhe qeverisë shqiptare që u reflektua me prerjen e fytyrës së tij në një fotografi të ndarë në rrjete sociale./nacionale.com/