April 29, 2024
Shqipëri

Pesë gra e 14 fëmijë shqiptarë nxirren nga kampet e ISIS

Qeveria shqiptare ka përmbyllur me sukses operacionin e tretë humanitar për kthimin në atdhe të grave dhe fëmijëve nga kampet Al Hol dhe Roj të Sirisë. Siç njofton Top Channel, është mundësuar marrja e 19 grave dhe fëmijëve shqiptarë nga këto kampe. Parashikohet që ata të mbërrijnë në Shqipëri mesditën e të dielës. Ata fillimisht do të udhëtojnë drejt Damaskut e më pas do të mbërrijnë në Bejrut. Të shpëtuarit nga ‘kampet e ferrit’, më pas do të qëndrojnë në një vendndodhje sekrete, nën ruajtjen e forcave të sigurisë dhe kujdesin personal të drejtorit të sigurisë kombëtare të Libanit Gjeneral Abas Ibrahim, pa angazhimin e të cilit kjo nuk do të arrihej. Sikurse edhe në operacionin e dytë Tetorin 2020, kur u riatdhesuan një grua bashkë me katër fëmijë, në Bejrut ka shkuar vetë kryeministri Edi Rama bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme Bledi Cuci dhe Gledis Nano drejtor i drejtorisë së anti-terrorit në Policinë e Shtetit. Ata u pritën nga drejtori sigurisë kombëtare Gjenerali Abas Ibrahim.