Etem Xheladini
Për më shumë se pesë dekada ia kam kushtuar jetën arsimit shqip dhe veprimtarisë humanitare, sot më datën 20 Korrik 2026, në dalje ora 8.30 minuta, e hyrje në ora 12.45, me të kthyer nga Prishtina, më se një orë u ndaluam dhe u malltretuam në pikën kufitare Bllacë, pa asnjë arsyetim, vetëm një përgjigje nga policët që po sillen korrekt, se sistemi nuk po funksionon.
A thua në këte moshë a nuk është e tepërt të pengohem më orë në pikat kufitare të R.Maqedonisë Veriore, në vend të respektit, përballem me ndalesa të përsëritura në pikat kufitare, pa asnjë shpjegim zyrtar më se një vitë.
Pyetja ime është e thjeshtë, a mund të konsiderohet rrezik për shtetin një njeri që ka përhapur dije dhe ka edukuar qytetarë?
Arsimi në gjuhën amtare është e drejtë themelore, jo privilegj. Gjithmonë kam mbrojtur këtë të drejtë me mjete demokratike, ligjore dhe publike. Nëse ky angazhim është arsyeja e trajtimit që po përjetoj, atëherë kjo ngre shqetësime serioze për funksionimin e shtetit ligjor.
Prej më shumë se një viti ndalohem vazhdimisht në pikat kufitare, si në hyrje ashtu edhe në dalje të vendit. Policët shpesh më thonë se në sistem ekziston një shënim apo kod, për të cilin nuk marrin dot shpjegim. Përgjigjja mbetet e njëjtë: “Është sekret shtetëror.”
Për 42 vjet kam qenë mësimdhënës dhe për dekada jam angazhuar në humanizëm, gjithmonë hapur, me transparencë dhe në përputhje me ligjin. Nuk kërkoj privilegje, por kërkoj dinjitet, barazi para ligjit dhe përgjigje institucionale.
Është paradoks që ata që kanë dëmtuar, e po dëmtojnë shtetin me krime e korrupsion lëvizin lirshëm, ndërsa njerëzit që kanë ndërtuar shpërndar dije dhe kanë edukuar breza trajtohen si të dyshimtë pa asnjë vendim gjyqësor.
Nuk kërkoj mëshirë, kërkojë drejtësi, Kërkoj drejtësi, transparencë dhe respekt për dinjitetin e çdo qytetari. Një shtet demokratik forcohet duke respektuar mësuesit, intelektualët dhe ata që me dije e humanizëm kanë ndërtuar të ardhmen e tij.

