Personat me nevoja të veçanta kërkojnë të informohen dhe t’u ofrohet mundësi për të votuar
Megjithëse e drejta e votës është e garantuar me Kushtetutë, personat me nevoja të veçanta e kanë të vështirë qasjen tek vendvotimet. Kjo i pengon ata që të mos mund të realizojnë të drejtën e votës. Zakonisht zgjedhjet mbahen nëpër shkolla në disa prej të cilave nuk ka qasje për personat me hendikep apo mbahen në katin e dytë të objekteve ku nuk ka ashensorë. Nga lëvizja “Polio Plus” kërkojnë nga KShZ-ja dhe Qeveria që t’u mundësojnë qasje personave me pengesa deri tek vendvotimet.
“Polio Plus” me dekada flet se pengesat për qasje deri tek vendvotimet është shkelje e të drejtave qytetare dhe politike të personave me pengesa. Në atë kontekst të theksojmë se ekziston vendim i plotfuqishëm gjyqësor që është konfirmuar nga apelacioni lidhur me qasjen e personave me hendikep në vendvotime. Sipas vendimit, vendvotimet dhe materialet duhet të jenë të qasshme në tërësi për të gjithë qytetarët.”, – theksoi Sergej Shavrevski nga Lëvizja “Polio Plus”, për TVM2.
Ata po ashtu ankohen se nuk janë sa duhet të informuar gjatë fushatës, pasi mungojnë njoftimet me gjuhën e shenjave për personat me dëgjim të dëmtuar.
“Partitë politike maqedonase dhe shqiptare, por edhe të gjitha partitë tjera politike, patjetër të gjejnë mënyrën e qasjes për ne, pasi bota tani është moderne, mund të jetë edhe elektronike, të na informojnë në formë elektronike për programin e tyre, ta dimë se çfarë premtojnë partitë, përkatësisht kandidatët në zgjedhje. Kemi vështirësi të gjendemi edhe në hapësirat ku duhet votuar personat me dëgjim të dëmtuar apo invalidët. Nuk ka persona që përdorin gjuhën e shenjave nëse ka ndonjë problem apo personat me karroca kanë barriera arkitektonike. Nuk ka kush t’u ndihmojë.”, – u shpreh qytetari me vështirësi në dëgjim, Lubisha Savevski.
Edhe pse vlerësohet se rreth 15% të popullsisë botërore e përbëjnë persona me nevoja të veçanta, kjo kategori e qytetarëve vazhdon të përballen me pengesa të shumta në jetën e përditshme, përfshi vështirësitë për qasje deri tek institucionet.