Nga Ministrie e Punëve të Jashtme kanë reaguar pasi presidentja e re, Gordana Siljanovska Davkova gjatë betimit të saj nuk e përdori emrin zyrtar të shtetit, Maqedonia e Veriut, përcjell TV21. Nga MPJ bëjnë thirrje deri te politikanët dhe të përzgjedhurit që të respektojnë marrëveshjet ligjet, Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Ministria e Punëve të Jashtme konfirmon vendosmërinë e fuqishme të vendit në respektimin pa mëdyshje të dispozitave kushtetuese si dhe të gjitha obligimeve të ndërmarra ndërkombëtarisht si respektimi i plotë i Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë, e njohur si Marrëveshja e Prespës.
Gjatë shtatë viteve të fundit, dy vendet fqinje kanë zhvilluar një nivel jashtëzakonisht të lartë të dialogut politik, i cili ka rezultuar në një rritje të disafishtë të bashkëpunimit ekonomik dhe në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive mes njerëzve. Këto përfitime rezultuan me anëtarësimin e vendit në NATO, hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe përmirësimin e Partneritetit Strategjik në Dialog Strategjik me Shtetet e Bashkuara.
Bëjmë thirrje për kujdes nga të gjithë aktorët politikë, veçanërisht funksionarët e zgjedhur të shtetit. Ruajtja e kursit euroatlantik të vendit përfaqëson një interes themelor strategjik dhe një garantues të sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit.