Në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot, për herë të parë në seancë, u paraqit ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, i cili është i akuzuari i parë në rastin “Lotaria Shtetërore”. Bajrami, i cili pas gati dy vitesh në arrati është kthyer në vend, u deklarua se nuk ndihet fajtor për veprën për të cilën akuzohet.
Në të njëjtën seancë, i pafajshëm u deklarua edhe i akuzuari i tetë, Bashkim Avdiu, i cili në seancën e kaluar kërkoi që aktakuza t’i përkthehej në gjuhën shqipe.
Me deklarimin e Bajramit dhe Avdiut, të gjithë të akuzuarit në këtë rast tashmë janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprën për të cilën akuzohen.
Përfaqësuesi i Lotarisë Shtetërore, e cila në këtë rast ka statusin e palës së dëmtuar, deklaroi se ndërmarrja ka kërkesa ndaj të akuzuarve. Nga Lotaria thanë se më vonë do të vendosin nëse këto kërkesa do t’i realizojnë në procedurën penale apo përmes një procedure të veçantë civile.
Në seancë, mbrojtja e të akuzuarve paralajmëroi edhe prova dhe dëshmitarë. Avokati i Artan Grubit tha se do të plotësojnë listën e provave me vendime të Qeverisë, ndërsa mbrojtja e Bojan Janevit paralajmëroi se do të kërkojë të dëgjohet si dëshmitar drejtori aktual i Lotarisë Shtetërore, Aleksandar Klimovski.
Seanca e radhës për rastin “Lotaria Shtetërore” është caktuar për më 23 shtator.
Përveç Bajramit, në këtë rast akuzohen edhe ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, si dhe pesë ish-anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të ndërmarrjes – Skender Mehmet, Bojan Janev, Fatmir Ramadanski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu.
Të gjithë të akuzuarit gjykohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit, lidhur me prokurimin e paligjshëm të terminaleve videolotarie për organizimin e lojërave elektronike të fatit.
Sipas propozim-akuzës, veprimet kanë ndodhur gjatë viteve 2023 dhe 2024. Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë tejkaluar autorizimet e tyre zyrtare, ndonëse e kanë ditur se SHA “Lotaria Shtetërore” nuk kishte të drejtë të organizonte në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve videolotarie.
Gjatë hetimit, të akuzuarit fillimisht ngarkoheshin për veprën penale “përvetësim në shërbim”, por me dorëzimin e propozim-akuzës vepra u rikualifikua në “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.
Prokuroria gjithashtu ka rishikuar shumën e dëmit të pretenduar. Sipas ekspertizës, dëmi tani vlerësohet në rreth 9.7 milionë euro, ose 596.125.511 denarë, ndërsa më parë ishte vlerësuar në 507.623.173 denarë, rreth 8.2 milionë euro.
Procesin gjyqësor e drejton gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevska, si gjyqtare e vetme, pasi lënda është ngritur me propozim-akuzë dhe zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.
[Artikulli origjinal në Portalb](https://portalb.mk/perparim-bajrami-dhe-bashkim-avdiu-u-deklaruan-te-pafajshem-ne-seancen-e-sotme-per-rastin-lotaria-video/?utm_source=chatgpt.com)

