Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, mori pjesë sonte në mbrëmjen solemne përkujtimore me rastin e 34-vjetorit të ngjarjeve tragjike të 6 nëntorit 1992 në Bit Pazar, ku humbën jetën katër qytetarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Në Teatrin Shqiptar në Shkup, me mbështetjen e Komunës së Çairit, u promovua libri “E vërteta mbi ngjarjet e Bit Pazarit (1992)”, i autorit dhe historianit Qerim Lita, një vepër që përmes dokumenteve dhe hulumtimit historik sjell dëshmi mbi një nga ngjarjet më të rënda në kujtesën kolektive të shqiptarëve në Shkup.
Në fjalën e tij, Mexhiti theksoi se 6 nëntori nuk është vetëm një datë përkujtimi, por një pikë kthese në përpjekjet e shqiptarëve për barazi dhe respektimin e të drejtave të tyre.
“Për ju, familjarët, 6 nëntori i vitit 1992 është dita kur dikush që e prisnit të kthehej në shtëpi nuk u kthye më. Për ne si shqiptarë, ajo ditë shënon një pikë kthese në përpjekjet tona për barazi dhe për respektimin e të drejtave tona”, u shpreh Mexhiti.
Ai rikujtoi se ndërhyrja policore ndaj një të riu shqiptar që shiste cigare në Bit Pazar u pasua nga protesta masive të qytetarëve dhe përplasje në të cilat policia përdori forcë të tepruar, me pasoja tragjike për qytetarët.
Duke folur për rëndësinë e kujtesës historike, Mexhiti vlerësoi se brezat e rinj duhet t’i njohin këto ngjarje jo vetëm përmes rrëfimeve familjare, por edhe përmes dokumenteve dhe hulumtimeve shkencore.
“Me librin ‘E vërteta mbi ngjarjet e Bit Pazarit (1992)’, historiani Qerim Lita u jep mundësinë të rinjve t’i njohin këto ngjarje edhe përmes dokumenteve dhe hulumtimit historik. E falënderoj për punën që ka bërë për të dokumentuar çfarë ndodhi atë ditë në qytetin tonë”, theksoi kryetari Mexhiti.
Ai nënvizoi se pozita e sotme e shqiptarëve në shoqëri dhe institucione është rezultat i përpjekjeve të brezave të tërë, ndërsa përgjegjësia e gjeneratës së sotme është të ruajë dhe avancojë këto të drejta.
“Sot kemi një pozitë më të fortë në shoqëri dhe në institucione, falë brezave që këmbëngulën për barazi. Përgjegjësia jonë është t’i mbrojmë të drejtat e fituara, të sigurojmë zbatimin e tyre dhe të vazhdojmë t’i avancojmë. Me të njëjtin përkushtim duhet të mbrojmë dhe të avancojmë të drejtat e çdo komuniteti”, deklaroi Mexhiti.
Duke iu referuar mësimit që duhet nxjerrë nga ngjarjet e 6 nëntorit, ai theksoi se barazia duhet të jetë e prekshme në raportin e institucioneve me qytetarët.
“Barazia duhet të ndihet në mënyrën se si institucionet e trajtojnë secilin qytetar dhe si i shërbejnë atij. Ajo që ndodhi në Bit Pazar na kujton sa të rënda janë pasojat kur shteti përdor forcën kundër qytetarëve që ka për detyrë t’i mbrojë”, u shpreh Mexhiti.
Në këtë mbrëmje përkujtimore, në emër të familjarëve të viktimave foli Muhijedin Sejfullai. U shfaqën gjithashtu dëshmi autentike nga Raif Dardhishta, Florie Ibraimi dhe Ismail Murtezi.
Vështrim akademik mbi librin prezantoi Hysen Matoshi, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, ndërsa kumtesë shkencore mbi ngjarjet e Bit Pazarit mbajti Nuridin Ahmeti, po nga ky institucion. Në fund, fjalën e mori autori i librit, historiani Qerim Lita.
Në emër të Komunës së Çairit, kryetari Izet Mexhiti shprehu respekt për familjet e viktimave dhe të mbijetuarit, duke riafirmuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe dokumentimit të së kaluarës.

