Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka përshëndetur vlerësimin e Komisionit Evropian për progresin në politikat për ndërmarrjet dhe industrinë. Sipas Durmishit, raporti evidenton rritje ekonomike prej 3,5 për qind.

“Për ta mbështetur këtë rritje, do të vazhdojmë me masa që nxisin zhvillimin e ndërmarrjeve, investimet dhe hapjen e vendeve të punës”, ka shkruar Durmishi në rrjetet sociale.

Ai ka theksuar se lehtësimi i procedurave dhe përmirësimi i kushteve për bizneset janë ndër prioritetet e ministrisë. Në këtë drejtim, ka veçuar miratimin e planit për thjeshtimin e 50 procedurave administrative dhe nisjen e uljes së 9 tarifave parafiskale.

“Me këto masa synojmë t’u kursejmë ndërmarrjeve kohë dhe shpenzime, që të përqendrohen më shumë në punën dhe zhvillimin e tyre”, ka shtuar ministri.

" "

Durmishi ka përmendur edhe miratimin e Strategjisë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe zbatimin e planit të saj të veprimit. Sipas tij, bashkimi i strukturave mbështetëse për bizneset në agjencinë INOVA është veçuar nga KE-ja si një nga hapat pozitivë në këtë fushë.

Ministri ka bërë të ditur gjithashtu se po forcohen kapacitetet e ministrisë për zbatimin e masave nga Plani i Rritjes.

“Vlerësimi i punës sonë nga Komisioni Evropian na jep edhe më shumë vullnet për t’i përvjelur krahët dhe për të vazhduar punën, gjithmonë në shërbim të qytetarëve”, ka theksuar Durmishi.

sqShqip