June 21, 2024
Maqedoni

Për një vit duhet të ndrrohen dokumentet

Letërnjoftimet, pasaportat, lejet e vozitjes dhe tabelat e veturave që e kanë mbishkrimin “Republika e Maqedonisë” do të vlejnë më së voni deri më 12 shkurt të vitit 2024, pavarësisht datës së skadimit. Nëse një qytetar duhet të ndryshojë të gjitha këto dokumente si dhe tabelat e regjistrimit, duhet të ndajë 3800 denarë, apo rreth 63 euro.

Pagesa për dokumente të reja

-Letërnjoftim- 20 den, fletëpagesa 190 den. Totali:210 den.
-Pasaportë- 1500 den, taksa administrative 200 den. Totali:/1700 den.
-Patentë shoferi- 280 den, taksa administrative 110, Totali:/390 den.
-Tabelat 1500 den.

Qytetarët ankohen se kjo është një barrë shtesë mbi supet e tyre.

“Janë mësuar qytetarët të paguajnë vetë çdo gjë, çdo gjë vetëm notar, notar, vetëm të paguajnë qytetarët. Nuk është mirë por çfarë të bëjmë”, tha një qytatetar.

“Duhet t’i ndërrojmë, është rregull, është ndryshuar edhe emri i shtetit, patjetër duhet t’i ndërrojmë….”, shtoi një tjetër.

Pas 12 shkurtit të vitit të ardhshëm dokumentet dhe tabelat e regjistrimit nuk do të jenë më të vlefshme. Sipas Ligjit për automjete, nëse automjeti është në komunikacion me targa të ndryshme nga ato të përcaktuara, parashihet gjobë prej 100 euro.

“Dokumentet e vjetra, pas datës 12.02.2024 nuk do të vlejnë, pavarësisht kur u skadon afati. Domethënë me pasaportë të vjetër nuk mund të kalohet kufiri, me letërnjoftim të vjetër nuk mund të kalohet kufiri dhe as nuk do të pranohet si dokument nëpër institucione dhe me leje të vjetër për vozitje nuk mund të ngisni automjetet“, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndryshimi i dokumenteve personale dhe tabelave është obligim i dalë nga Marrëveshja e Prespës me Greqinë për ndryshimin e emrit kushtetues, e firmosur në vitin 2018./Alsat.mk