Shkupi, Qyteti i Kulturës, pasurohet me një ngjarje të re që synon të bëhet pjesë e identitetit të tij artistik. Për herë të parë, me iniciativë të Komunës së Çairit, organizohet Festivali Ndërkombëtar i Muzikës “Çarshia”, një festival që i jep jetë hapësirave historike të Çarshisë së Vjetër përmes artit, muzikës dhe kulturës.
Nga 23 deri më 26 korrik, Suli Ani dhe Kurshumli Ani do të mirëpresin artistë të njohur vendas dhe ndërkombëtarë, nën udhëheqjen artistike të divës së operës Inva Mula dhe sopranos Dëshira Ahmeti. Për katër net, publiku do të ketë mundësinë të shijojë koncerte të muzikës klasike, muzikës kamertale, gala operistike dhe interpretime të muzikës shqiptare.
Festivali “Çarshia” lind me ambicien për t’u shndërruar në një traditë të përvitshme dhe në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend e rajon, duke e afirmuar Çairin dhe Çarshinë e Vjetër si një pikëtakim të artit, trashëgimisë dhe dialogut kulturor.

