Një ngjarje e veçantë dhe mjaft emocionuese u realizua në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup, ku për herë të parë Festa e Abetares u organizua në një hapësirë teatrore, duke i dhënë këtij manifestimi një dimension edhe më të veçantë artistik dhe edukativ.
Nxënësit e klasës I-3 nga shkolla fillore “Petar Zdravkovski Penko” në Shkup, nën përkujdesjen e mësueses Hatixhe Topalli, sollën para prindërve, familjarëve dhe të ftuarve një program festiv plot emocion, kreativitet dhe gëzim fëmijëror.
Tradita e festimit të përfundimit të alfabetit zakonisht organizohet në ambientet e shkollës, mirëpo kësaj radhe, falë angazhimit dhe vizionit të mësueses, ky manifestim u ngjit në skenën e madhe të Teatrit Shqiptar, duke krijuar një atmosferë të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.
Mësuesja Hatixhe Topalli konsiderohet ndër të parat në Maqedoninë e Veriut që organizon një program të veçantë dhe të strukturuar me emrin “Festa e Abetares”, duke e kthyer këtë moment të rëndësishëm të klasës së parë në një ngjarje festive dhe edukative me karakter artistik.
Fëmijët interpretuan me shumë emocion poezi dhe recitime kushtuar shkronjave, kënduan këngë për shkollën dhe dijen, vallëzuan dhe sollën pika të ndryshme artistike, duke dëshmuar talentin, punën dhe përkushtimin e tyre gjatë vitit shkollor. Programi u përcoll me duartrokitje të shumta dhe emocione nga prindërit dhe publiku i pranishëm.
Ky organizim u vlerësua si një shembull i bukur i bashkimit të arsimit, kulturës dhe artit, duke i dhënë fëmijëve një kujtim të paharrueshëm nga hapat e tyre të parë në botën e dijes.
VIDEO në LINK.

