Qeveria bullgare të martën tërhoqi projektbuxhetin për vitin 2026, i pari i hartuar në euro para se shteti anëtar i Bashkimit Evropian të miratojë zyrtarisht monedhën e përbashkët më 1 janar, pas protestave mbarëkombëtare kundër rritjeve të planifikuara të taksave për të financuar shpenzime më të larta.

Qeveria e kryeministrit Rosen Zhelyazkov i kërkoi parlamentit me një deklaratë që ta tërhiqte projektbuxhetin.

“Pas vendimit të parlamentit, qeveria do të nisë një procedurë të re buxhetore,” thuhej në deklaratë. Një komision parlamentar e kishte miratuar projektbuxhetin në lexim të parë më 18 nëntor.

Të hënën në mbrëmje mijëra njerëz protestuan në kryeqytetin Sofje dhe në disa qytete të tjera kundër projektbuxhetit.

" "

Partitë opozitare dhe organizata të tjera thanë se po protestonin kundër planeve të qeverisë për të rritur kontributet e sigurimeve shoqërore dhe taksat mbi dividendët për të financuar shpenzime më të mëdha, si dhe kundër korrupsionit shtetëror.

“Procesi i rishikimit të buxhetit do të jetë i vështirë, me mbikëqyrje të shtuar nga sindikatat, grupet e biznesit dhe publiku,” tha Mario Bikaraski, analist i lartë për Evropën në kompaninë e inteligjencës së riskut Verisk Maplecroft.

“Ka një konsensus të gjerë për nevojën e kujdesit fiskal. Megjithatë, përpjekjet e përsëritura për rritjen e taksave ka të ngjarë të nxisin edhe më shumë tensionet sociale,” shtoi ai.

Rreth gjysma e bullgarëve kundërshtojnë adoptimin e euros, nga frika se do të cenohet sovraniteti kombëtar dhe se shitësit me pakicë do të shfrytëzojnë kalimin nga leva kombëtare në euro për të rritur çmimet.

Javën e kaluar qeveria kishte premtuar ta riparaqiste në parlament planin e shpenzimeve për 2026-n pas protestave të mëparshme në rrugë, duke thënë se do të lejohej më shumë kohë për konsultime me partitë opozitare, sindikatat dhe punëdhënësit.

Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ivan Krastev, paralajmëroi të martën se nëse nuk miratohet një buxhet i ri, pagesat për personat që jetojnë nën pragun e varfërisë do të preken, raportoi agjencia bullgare e lajmeve BTA.

“Shpresoj që të gjendet arsyeja e shëndoshë dhe vullneti politik nga të gjithë pjesëmarrësit në proces që të mbrohen grupet më të cenueshme të shoqërisë sonë,” tha ai.

sqShqip