Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve gjatë muajit mars nuk ka kryer asnjë inspektim pasi me ndryshimet e fundit ligjore planet mujore të inspektorëve i miraton ministri i Drejtësisë Igor Fillkov, shkruan Alsat. Nga resori i Drejtësisë thonë se plani është miratuar javën e kaluar.

Mungon plani mujor për muajin mars
“Plani për punën e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve është nënshkruar më 19 mars të vitit 2026”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Megjithatë sipas ndryshimeve të fundit ligjore të Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese, ministri është dashur ta nënshkruaj planin që në fund të muajit shkurt ose në fillim të muajit mars, me qëllim që institucioni të funksionojë pa pengesa.

Për të mos qenë kjo vonesë e mjaftueshme, për shkak festave, por edhe joefikasitetit të Postës, vendimi i ministrit ende nuk ka arritur në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve.

Drejtori Arsim Idrizi për Alsat thotë se ai kërkesën e ka dorëzuar në kohë, ndërsa vonesat i ngarkojnë inspektorët në punët e tyre të përditshme. I pyetur nëse kjo vonesë mund të jetë e qëllimshme për shkak të inspektimit në Ministrinë e Drejtësisë, pasi Fillkov refuzon të lejojë dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, Idrizi thotë se nuk mund të paragjykojë.

“Për të gjitha këto pyetje, mirë është t’i drejtoheni Ministrisë së Drejtësisë për arsye se nuk e di pse kanë ndodhur këto vonesa, a janë çështje teknike apo nuk e di çka”.
“Besoj edhe shpresoj që muajve në vazhdim të ndiqen procedurat në kohë. Të respektohet dhe miratohet plani mujor në mënyrë që inspektorati t’i kryej ashtu siç i kemi kryer ndonjë tani”, thotë Arsim Idrizi, drejtor i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.

Ndërkohë krahas planeve mujore, ministri nuk ka nënshkruar edhe fatura të tjera për funksionimin e përditshëm të Inspektoratit. Me ndryshimet e fundit ligjore për inspektoratet, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve e humbi cilësinë e personit juridik, ndërsa tani funksionon si organ në përbërje të Ministrisë së Drejtësisë. Kjo, nënkupton se Inspektorati nuk ka llogari buxhetore të saj, nuk mundet në mënyrë të pavarur të zbatojë procedura për furnizime publike dhe punësime, e as nuk mund të vendos për të drejtat dhe obligimet nga marrëdhënia e punës. Për gjithçka duhet të japë miratim, ministri i Drejtësisë.

sqShqip