Dita e sotme është shoqëruar me zhvillime në Lindjen e Mesme, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump pretendon të ketë zhvilluar bisedime produktive me Teheranin.
Presidenti i SHBA, Donald Trump, njoftoi se Shtetet e Bashkuara dhe Irani zhvilluan “biseda produktive” gjatë fundjavës, dhe se ai do të pezullojë sulmet ushtarake kundër centraleve të energjisë iraniane për një periudhë pesë-ditore.
Çmimet e naftës ranë ndjeshëm pasi presidenti i SHBA, Donald Trump, sugjeroi se bisedimet e vazhdueshme me Iran mund të çojnë drejt përfundimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër Irani ka mohuar të ketë zhvilluar ndonjë dialog me SHBA, duke i hedhur poshtë pretendimet e presidentit Donald Trump si një përpjekje për të ulur çmimet e energjisë dhe për të fituar kohë për plane ushtarake.
Po ashtu pak minuta pas deklaratës së Trump, ushtria izraelite njoftoi se po kryente sulme ndaj objektivave të regjimit iranian në “zemër të Teheranit”.
Përditësimet LIVE, 23 mars:
15:49 “Ngushtica e Hormuzit do të hapet shumë shpejt”, Trump: Dua që ta kontrollojmë bashkë me Iranin, unë dhe Ajatollahu, apo kushdo që do të jetë në të ardhmen
Presidenti i SHBA, Donald Trump, deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të “hapet shumë shpejt”, duke shtuar se do të dëshironte që kjo rrugë jetësore e transportit detar të vihej nën kontroll të përbashkët mes SHBA-së dhe Iran.

