Pas iftarit në Vrapçisht, Arben Fetai mbrëmë tuboi ekspres pjesën e mbetur të ASH-së në një mbledhje të quajtur Kuvend për Themelim, ku miratoi një koncept me emrin “Aleanca e Re”. Në një video nga mbledhja që vetë partia e ka montuar dhe lëshuar në rrjetet sociale, dëgjohet Fetai derisa informatat për përçarje brenda ASH-së i quan manipulime.

Megjithatë në mbledhje, Fetait në mbledhje nuk i shkuan ministri i Shëndetësisë Azir Aliu dhe deputetja Mimoza Musa, dy figurat e larta që deri dje i ka pasur në krah, sidomos në konfrontimin me Arben Taravarin. Këta të fundit, para dy ditësh ishin mbledhur në një iftar të përbashkët në Vrapçisht, ku Arben Fetai nuk ishte i pranishëm. Atyre u ishte bashkëngjitur deputeti Iliri Demiri, i cili që paraprakisht braktisi Ziadin Selën. Sot, shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë Aliu, por vetëm theksoi që po punojnë në themelimin e VLEN-it.

“Në këtë këndvështrim edhe ne si VLEN, punojmë që një ditë e më herët të jetë një strukturë e organizuar mirë dhe të mos kemi, ndryshime administrative në arritjen e qëllimeve tona”, deklaroi Azir Aliu, ASH.
Nga ana tjetër, pas mbarimit të mbledhjes së mbrëmshme, Fetai shpalosi vendimet, derisa të gjithë të pranishmit qëndronin prapa tij.

“Një, pezullimi i funksionimit të të gjitha organeve aktuale deri në një vendim të ri. Dy, shpallja e një moratoriumi të përkohshëm në të gjitha aktivitetet partiake. Dhe tre, me shumicë votash, Kuvendi për Themelim më autorizoi që të zhvilloj negociatat e mëtejshme në kuadër të lidershipit të VLEN-it”, u shpreh Arben Fetai, ASH.

Nga ana tjetër, Fetai këmbëngul që të shkrihen në parti, por pozitat të ndahen në mënyrë proporcionale. Përveç mospajtimeve në ASH, paraprakisht kishte përplasje edhe në Lëvizjen BESA, pasi kryetari Bilall Kasami dëshironte të shkarkonte ministrin Fatmir Limani. /Alsat.mk

sqShqip