Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka pritur në një takim zyrtar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, duke theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve.

“Kënaqësi e veçantë të mirëpres në Kuvend, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, mikun tim, z. Bajram Begaj”, ka shkruar Gashi.

Sipas tij, takimi është zhvilluar “në një frymë vëllazërore”, ku është konfirmuar niveli i lartë i bashkëpunimit dypalësh.

“Konfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona, të cilat karakterizohen nga dialog intensiv politik dhe bashkëpunim të qëndrueshëm”, theksoi ai.

" "

Gashi ka përgëzuar Shqipërinë për progresin në integrimin evropian dhe ka riafirmuar angazhimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Shpreha përgëzime për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe riafirmova përkushtimin tonë të përbashkët për të avancuar në procesin e integrimit, si fqinjë dhe aleatë në NATO”, thuhet në njoftim.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe bashkëpunimi ekonomik dhe infrastrukturor, me theks të veçantë te projektet strategjike.

“Theksuam rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe infrastrukturor, veçanërisht realizimin e projekteve si Korridori 8, që përbën një element jetik të partneritetit dhe lidhjeve tona”, deklaroi kryeparlamentari.

Ai nënvizoi gjithashtu rolin e shqiptarëve si faktor lidhës mes dy shteteve.

“Konstatuam rolin e pazëvendësueshëm të shqiptarëve si urë lidhëse mes shteteve tona, ndaj partneriteti strategjik do të vijojë të forcohet në frymën e miqësisë, besimit dhe vizionit të përbashkët europian”, përfundoi Gashi.

sqShqip