May 10, 2024
Maqedoni

Partitë e vogla kërkuan më shumë ministri pa resor nga kryeministri Zaev

Përfundoi takimi i kryeministrit Zoran Zaev me partitë politike të koalicionit qeveritar ku u diskutua për marrëveshjen me Alternativën.

Sipas mediumeve maqedone, në këtë takim partitë e vogla kërkuan më shumë ministri pa resor nga kryeministri Zaev.

Pas takimit, Tito Petkovski për deklaratë për mediat tha se kanë biseduar rreth koalicionit dhe çfarë duhet të bëhet që vendi të mos ketë zgjedhje të parakohshme kuvendare.

“Mendoj se në Maqedoni momentalisht nuk nevojiten zgjedhje të parakohshme kuvendare. Mendoj se është mirë që rritet shumicë parlamentare edhe me katër deputetë. Mbetet një deputet i Lëvizjes Besa dhe katër të Alternativës”, tha Petkovski.

Sipas tij, Alternativa ka shfrytëzuar momentin kur qeverisë i është dashur ndihma dhe të veprojë me kërkesa maksimale.