May 3, 2024
Kolumna

Paradoksi i shqiptarëve të Iliridës!

Medai Shaholli

Po thoja një ditë një me vete ore, si ka mundësi që një pjesë e madhe e intelegjencisë sonë së bashku me injorancën tonë të Iliridës nuk bëzajnë fare as nuk debatojnë për zgjedhjet e radhës në Shqipëri sikur bëhen zgjedhje në Nepal, ku tre muaj më parë po digjej fcb nga komentet dhe reagimet për zgjedhjet në Dardani?

Dihet që kjo specia jonë e ka një shkak sepse është zemruar me nënën Shqipëri për shkak të minishengenit që ka pranuar Edi Rama si projekt serb!
Kjo të jetë arsyeja vallë që janë kaq indiferent, thash mevete përsëri unë, jo nuk më besohet!
Po mirë kur janë kaq atdhetarë të flakët dhe me vetëdije të lartë këta specia jonë veçantë, përse nuk i ndëshkojnë partiçkat tona që miratuan ndryshimet kushtetuese dy vjet më parë dhe pranuan skllavërinë e re, por edhe më tej vazhdojnë t’i votojnë të njëjtit në çdo cikël zgjedhor.
Kaq vetëdije të lartë kanë këta të species sonë inteligjente që kanë pikasur tradhtinë e të dy krahëve të politikës shqiptare si PD të Sali Berishës që furnizonte Millosheviqin me naftë përkundër embargos ndërkombëtare edhe PS të Edvin Ramës që pranoi minishengeni e Vuçiqit si kalë Troje dhe projekt pansllavist dhe nuk ua kanë thënë troç asnjëherë!

Përsëri nuk e besoj!
Intelegjencia shqiptare e Iliridës nuk më rezulton aq e vetëdijshme pasi me nënën Shqipëri nuk duhesh zemëruar por me Saliun dhe Edvinin që nuk i kanë bërë presion partiçkave tona të mos hynë në qeveri të koalicionit me asnjë parti sllavo-maqedone pa garantuar më parë saatusin politik të shqiptarëve dhe barazinë e plotë gjuhësore dhe nacionale si dy kombe shtetëformues.

Ky do të ishte minimumi i dinjitetit kombëtar dhe jo dalldisja pas motrës Dardani se vetëm ajo interesohet për motrën e vogël Iliridë, duke e anashkaluar nënën Shqipëri me pretekstin se ajo na ka lënë në rrugë të madhe dhe nuk i intereson për se jemi gjallë.

Për pabarazinë dhe denigrimin e interesave kombëtare të shqiptarëve të Iliridës është e vërtetë fajin e ka politika antikombëtare e të dya forcave politike si PD ashtu edhe PS.

Ndaj, fajin duhet kërkuar me adresë duke ia thënë hapur para syve fajtorëve gjatë takimeve të rastit dhe jo duke lozur me dy porta lojën e patriotizmit fals nga Shkupi apo Reçica e vogël.

Bashkimi kombëtar përmendet në çdo të tretën fjalë nga kjo inteligjencë së bashku me injorancën tonë, ahere si do ta ndihmojë bashkimin kombëtar kjo specie në ‘zhvillim’ kur dihet që me bashkimin kombëtar shkrihen partitë e vogla në parti të mëdha për shkak të bashkimit në Shqipërinë e bashkuar në të gjitha trojet, kur këta i konsiderojnë si armike partitë e nënës Shqipëri?!

Por çfarë ka bërë kjo inteligjencë që nga fillimi i pluralizmit politik?
Në përgjithësi ata kanë bërë vetëm gam-gam për konsum të brendshëm dhe me kaq i ka mjaftuar si ‘provë të veprimtarisë së saj patriotike’!

Një nga ‘sukseset’ e kësaj ‘intelegencije’ ishte nisma e parë e ndryshimit të flamurit kombëtar në fshirjen e yllit komunist nga flamuri ende pa e hequr shteti shqiptar dhe paradoksi qëndron pikërisht në atë që yllin e urryer komunist nuk e kërkuan kurrë të hiqet nga letërnjoftimet dhe dokumentet personale, i cili vazhdoi të qëndrojë shëndoshë e mirë edhe për dy dekada si yll i ‘vëllazërim bashkimit’ titist edhe me akordin e partiçkave politike shqiptare.

Ajo ankohet që Edvini nuk i bën presion Zajkos për më shumë të drejta të shqiptarëve dhe njëkohësisht shpreson se këtë do ta bëj Albini.
Kur nuk e bën Albini si do ta bëj Edvini kur e kanë marrë inat me të drejtë për shkak të miqësisë me Vuçin.
Së fundmi duket sikur është mbjellur njëfarë urrejtje pikërisht nga këta ‘intelektualcat’ e Iliridës se, ‘këta të Shqipnis ne t’bojn shka t’dojn me zgjedhjet e tyne, ne të thejn qafën s’po na vyjn për asni send’, kurse nga ana tjetër gojën plot e kanë për bashkim kombëtar!
Çfarë i duhet bashkimi kombëtar kësja specie të vonuar atëherë kur me urrejtjen krahinore ka kontribuar dhe ka kapërcyer kufinjtë e normales në përçarjen e një kombi.