Kandidati për kryetar të Çairit nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, sot realizoi një takim të rëndësishëm me një grup aktivistesh, sipërmarrëse, nëna, mësuese dhe heroina të jetës së përditshme, me të cilat së bashku finalizoi Programin për mbështetjen dhe fuqizimin e grave në komunë.

“Në Çair po ndodh një lëvizje e grave – lëvizje e zëshme, vendimtare, e fuqishme. Ato kërkojnë jo vetëm ndërrim politikanësh, por transformim të të gjithë mënyrës së qeverisjes. Dhe në këtë lëvizje, unë jam aleat”, deklaroi Osmani.

Në fjalën e tij, Osmani theksoi vizionin për Çairin si një vend ku gratë do të jenë ekonomikisht të pavarura, shoqërisht me ndikim dhe politikisht të zëshme, e jo shifra statistikore apo pjesëmarrëse simbolike.

Masat konkrete që do të zbatojë Osmani:
– Shkollë komunale për trajnim zejesh – vetëm për gra: e pajisur plotësisht, e menaxhuar dhe e drejtuar nga gratë. Pas përfundimit të trajnimeve, pjesëmarrëset do të marrin diploma dhe mbështetje për hapjen e biznesit të tyre.

– Subvencione për gratë sipërmarrëse: Komuna do të sigurojë mbështetje financiare për të gjitha gratë që duan të nisin biznesin e tyre.

– Qendër sportive ekskluzive për gra: hapësirë për aktivitet fizik dhe forcim të shëndetit mendor. Të ardhurat nga anëtarësimet do të përdoren për mbështetjen e nënave vetëushqyese.

– Shtëpia e grave – zejtare në Çarshi: qendër për promovimin e produkteve tradicionale të grave dhe krijimin e një marke të re – “Prodhuar nga gratë e Çairit”.

– Fond për mbështetjen e grave nga kategori të cenueshme: përfshirë nënat vetëushqyese, me ndihmë të drejtpërdrejtë për integrimin e tyre në shoqëri dhe në tregun e punës.

Bujar Osmani njoftoi edhe angazhimin më ambicioz për pjesëmarrjen politike të grave.

“Pas 20 tetorit, asnjë trup, asnjë komision, asnjë vend këshillimor apo drejtues nuk do të ketë më pak se 50% pjesëmarrje të grave. Kjo nuk do të jetë vetëm një shifër, por një standard i ri që Çairi do ta vendosë për mbarë shtetin”.

Ai u dërgoi një mesazh të qartë grave të Çairit: “Nuk jam këtu të ju premtoj. Jam këtu t’ju ofroj aleancë. Ju do të jeni motori i ndryshimit, ndërsa detyra ime është të heq çdo mur sistemik që deri tani ju ka kufizuar. Për herë të parë, Çairi do të qeveriset me forcën e grave”, përfundoi Osmani.

Bujar Osmani paralajmëron: Po realizohet një strategji për shfuqizimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit

Bujar Osmani, kandidat për kryetar të Çairit, reagoi ashpër ndaj mesazheve të fundit të Maksim Dimitrievskit të ZNAM-it kundër mekanizmit të Badenterit, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një strategji të rrezikshme, të planifikuar prej kohësh dhe e cila synon të fshijë themelet e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

“Mendoj se kjo është një strategji që e kemi parë edhe më herët. Plani për anulimin e Marrëveshjes Kornizë ekziston prej kohësh – para dy-tri vitesh ishte përgatitur. Thjesht, atëherë nuk mund ta realizonin – u duhej një partner shqiptar që do t’u jepte legjitimitet para popullit dhe para të huajve. Tani e gjetën”, deklaroi Osmani.

Ai shpjegoi se qëllimi i kësaj strategjie është eliminimi gradual dhe i heshtur i të gjithë shtyllave të Marrëveshjes Kornizë.

“Filluan duke plasuar ‘balona provë’ për gjuhën shqipe nëpër media. Pastaj emrat e ministrive nuk u shkruajnë më në dy gjuhë, më pas Gjykata Kushtetuese me porosi filloi të shfuqizojë ligje. Me vështirësi arritëm t’i ndalim para Kushtetueses me protesta, por ata nuk tërhiqen. Presin vetëm momentin e pakujdesisë së BDI”.

Sipas Osmanit, faza e fundit e strategjisë është eliminimi i Badenterit dhe i sistemit për përfaqësim të balancuar etnik në institucione.

“U thamë qartë: abuzimi nuk zgjidhet me shfuqizim të sistemit, por me ndëshkimin e abuzuesve. Nëse dikush kalon në të kuqe, nuk e heq semaforin, por e ndëshkon atë që shkel rregullin! Por qëllimi i tyre nuk është rendi, por heqja e plotë e mekanizmave që garantojnë barazinë”.

Osmani kujtoi se nga mekanizmat e Marrëveshjes Kornizë nuk kanë përfituar vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet e tjera.

“Maqedonasit në Çair kanë qenë më të mbrojturit pikërisht nga Balancuesi. Falë tij, komuna ka qenë e detyruar t’i punësojë edhe ata sipas numrit. Dhe ata më thonë: kjo është goditje e drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së tyre. Kjo nuk është interes shqiptar apo maqedonas. Kjo është interes kundër shtetit”, u shpreh Osmani.

Në deklaratën e tij, Osmani ashpër e dënoi heshtjen e një pjese të partive shqiptare në pushtet, të cilat sipas tij, i japin legjitimitet këtij projekti të rrezikshëm.

“Historia do t’i gjykojë, së pari fraksionet shqiptare që e legjitimojnë këtë, por edhe partitë maqedonase që godasin mbi shtyllën e unitaritetit të shtetit. Kjo është një agjendë oligarkike, por edhe proruse dhe prosërbe, që synon të rrënojë bashkëjetesën dhe të ndajë shoqërinë”, përfundoi Osmani.

sqShqip