May 4, 2024
Maqedoni

Njihuni me shqiptaren katolike nga Kumanova e cila pas tërmetit të vitit 1963 u shpërngul në Zagreb

Shkruan: Skënder Hasani, drejtor i ITSHKSH Shkup

Kjo është Elzabeta e lindur në Kumanovë dhe e shpërngulur në Zagreb pas tërmetit të Shkupit (1963). Duket plot nostalgji vendlindja, Kumanova dhe Shkupi i rinisë së saj, në disa copëza rrëfimesh që mi tregoi gjatë një takimi të shkurtër e spontan këtu në Zagreb. Rrëfimet e saj i ngjajnë një Sheherezadeje moderne, por me ca ndryshime dhe ca ngjashmëri… Në radhë të pare jeta e saj nuk është e kërcënuar nga kurfarë mbreti mizor, por kërcënimi për të dhe bashkëkombasit e saj, ka një natyrë tjetër. “Guri i rëndë peshon në vend të vet”, është përsëritur disa herë kjo maksimë e moçme, kurse Elizabeta jo vetëm që e ndjen vetën një pendël të lehtë në dhe të huaj, por ajo frikësohet se një ditë erërat e fuqishme të globalizmit do t’i humbin edhe ato pak gjurmë që kanë ngelur nga ky komunitet i Nënë Terezës, i degdisur në shumë anë të botës.

Fati e deshi që Kroacia u tregua shumë mikëpritëse për katolikët shqiptarë nga Shkupi, Kumanova e gjetiu, andaj edhe Elizabeta, si dhe bashkëkombasit e saj, është mirënjohëse, sepse në Zagreb dhe në qytetet tjera kroate ndërtuan foletë e tyre të dyta pas largimit të përmallshëm nga Maqedonia. Ajo na tregoi se bashkëpunon me komunitetin shqiptar në Kroaci dhe mundohet t’i mbaj lidhjet e pashkëputura me gjakun e saj. Elizabeta do të jetë një prej personazheve në projketet tona të radhës dhe ne si Institut do të vazhdojmë traditën e
nxjerrjes në pah të dritë-hijeve të komunitetit katolik shqiptar që si shpendët shtegtar janë shpërnda në disa vende të botës. Me Kroacinë tash më veç i kemi vendosur linjat e bashkunimit shkencor-kulturor dhe ky është një favor edhe për studiuesit tanë… Me Elizabetën, mbase do të shihemi në një rast tjetër, me një shkas tjetër. Dhe jemi të sigurt se ajo do të na sjell në një vorbull temash e idesh që presin të trajtohen nga Instituti ynë….

Zagreb, 22 shkurt 2023