Zvarritja e miratimit të Planit Detal Urbanistik vazhdon të mbajë peng zhvillimin e Kodrës së Diellit, duke rikthyer përplasjet mes institucioneve. Ministria e Transportit dhe Komuna e Tetovës fajësojnë Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim për bllokimin e procesit, ndërsa premtimet për investime të mëdha, përfshirë ato nga Katari dhe projektin e teleferikut, vazhdojnë të mbeten vetëm në letër.
“Po punojmë intensivisht së bashku me Komunën e Tetovës dhe mund të them se jemi në një fazë mjaft të avancuar. Nëse nuk gaboj, dhe këtu kryetari i komunës mund të më korrigjojë, po presim ende mendimin nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Për të qenë plotësisht i drejtpërdrejtë, personi që duhet të na japë këtë pëlqim është kuadër i BDI-së, ndaj i bëj thirrje publike që, në dy pauza mes politikave të larta, të miratojnë këtë dokument. Kjo do të na mundësonte të kalojmë Planin Detal Urbanistik për Kodrëne Diellit. Qëllimi ynë nuk është vetëm të zgjidhim çështjen e shtëpive të vikendit, por bashkë me kryetarin e komunës kemi plane të mëdha për ta shndërruar këtë zonë në qendrën më moderne të skijimit në Ballkan.”, u shpreh ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski.
Nga ana tjetër, kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, premton se në seancën e radhës të Këshillit ky plan do të futet në votim. Sipas tij, projekti garanton një transformim rrënjësor, që përfshin ndërtimin e hoteleve të reja dhe të një teleferiku që do ta lidhë qytetin me qendrën turistike.
“Po presim pëlqimin nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ku fatkeqësisht ka disa pengesa që po i zgjidhim me drejtorin. Besoj se brenda javës së ardhshme do ta marrim këtë pëlqim. Më pas do të sigurojmë edhe miratimin e dakorduar me ministrin eTransportit, në mënyrë që në mbledhjen e radhës të Këshillit vendimi të kalojë dhe të nisim menjëherë procedurat. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për shtëpitë e vikendit, por për një zhvillim të madh të Kodrës së Diellit.”, u shpreh kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Kasami zotohet se rruga do të përfundojë brenda këtij viti, do të ndërtohen hotelet e parapara dhe se po përgatitet projekti për teleferikun. Sipas tij nga viti i ardhshëm, Kodra e Diellit do të ketë një pamje tjetër.

