Nëse para disa vitesh ishte sukses që dy milionë udhëtarë të arrinin në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit, vitin e kaluar numri tejkaloi tre milionë në të dy aeroportet. Pres që këtë vit numri të jetë mbi 3,5 milionë udhëtarë, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski në seancën për pyetje deputetësh.
Në përgjigjen e pyetjes nga deputetja Lidija Petkovska nga VMRO-DPENE-ja, Nikolloski tha se aeroporti i Shkup ka rritjen më të madhe individuale në Evropë dhe është lider në kategorinë e aeroporteve të mesme, ndërsa po përmirësohet edhe pozita e aeroportit të Ohrit në kategorinë e aeroporteve të vogla turistike.
Nikolloski theksoi se fokusi i Qeverisë është në zhvillimin e infrastrukturës, gjë që, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e turizmit. Po rritet edhe trafiku ajror dhe numri i linjave ajrore, ndërsa është vendosur një metodologji e re për rritjen e numrit të pasagjerëve.
Ai përmendi rritjen e numrit të linjave të rregullta ajrore, si dhe fluturimeve çarter nga të dy aeroportet, duke shtuar se kjo reflektohet në një rritje prej 20 për qind të turizmit. Megjithatë, një sfidë serioze, tha Nikolloski, janë kapacitetet e akomodimit dhe se nevojiten shumë më tepër shtretër.
Nikolloski u ndal edhe te lidhja infrastrukturore e dy aeroporteve, duke thënë se aeroporti i Shkup, përveç lidhjes me perëndimin, tani ka edhe lidhje nga lindja, dhe se aeroporti është i lidhur nga të dyja anët me autostradë ose rrugë ekspres.
Siç tha ai, për aeroportin e Ohrit dikur në një gazetë shkruhej se aty uleshin vetëm zogjtë, ndërsa tani ka 13 destinacione të rregullta dhe 8 linja çarter, dhe numri i udhëtarëve po rritet. Po punohet për një rindërtim të plotë të aeroportit dhe ai pret që në dy-tre muajt e ardhshëm të përfundojë dhe të merren të gjitha lejet, gjegjësisht të respektohen procedurat e sigurisë, në mënyrë që të përdoret ndërtesa e re e terminalit.

