Të dhëna të vjedhura që mund të përdoren për mashtrime në anën tjetër të botës, shiteshin për vite në tregje të drejtuara nga persona nga Ballkani.
Rastet e zbuluara në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut flasin për mijëra shitblerës dhe ndërmjetës që mundësojnë tregtinë. Sipas ekspertëve, mundësia për fitim dhe vështirësitë e ndjekjes penale e bëjnë këtë veprimtari tërheqëse, ndërsa mbyllja e një tregu nuk e ndal domosdoshmërisht tregtinë.
Si funksiononin tregjet ilegale online?
Në tregjet online të të dhënave, të drejtuara nga persona nga Ballkani, mallrat e blera nuk dërgoheshin me postë dhe pagesat nuk bëheshin me dollarë apo euro.
Në këto uebfaqe, mijëra njerëz krijonin llogari dhe depozitonin kriptovaluta për të blerë paketa të dhënash personale të vjedhura.
Këto paketa përmbanin emra, adresa, numra telefoni, të dhëna bankare dhe të dhëna për hyrjen në llogari në uebsajte të ndryshme me abonim.
Një nga këto tregje quhej OLVX.
Për administrimin e tij, në tetor është arrestuar një 20-vjeçar nga fshati Reçicë e Madhe e Tetovës, në Maqedoninë e Veriut. Arrestimit i parapriu një hetim i përbashkët i autoriteteve lokale dhe Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) amerikane.
Sipas FBI-së, gjatë viteve 2023–2025, në këtë platformë kishte më shumë se 1.500 llogari që shisnin të dhëna të vjedhura.
Arrestimi i të riut në Maqedoninë e Veriut erdhi afro dy vjet pas arrestimit në Kosovë të dy vëllezërve, Ardit dhe Jetmir Kutleshi.
Ata drejtonin Rydox-in, një tjetër treg ilegal që shiste të dhëna të vjedhura dhe softuerë për kryerjen e mashtrimeve online. Një shtetas i tretë i Kosovës, Shpend Sokoli, u arrestua në Shqipëri si bashkëpunëtor i vëllezërve Kutleshi.
Rydox-i funksionoi nga viti 2016 deri më 2024. Sipas FBI-së, përmes tij u kryen mbi 7.600 transaksione, ndërsa Departamenti amerikan i Drejtësisë i vlerëson të ardhurat në të paktën 232.000 dollarë.
Të dy vëllezërit pranuan fajësinë para drejtësisë amerikane. Njëri u dënua, ndërsa tjetri e pret dënimin.
Tregu Rydox administrohej nga tre shtetas kosovarë, por Prokuroria Speciale e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nga hetimi për këtë rast nuk është siguruar ndonjë dëshmi që të jetë dëmtuar ndonjë qytetar i Kosovës.
Sipas autoriteteve amerikane, në të dyja rastet viktima ishin qytetarë amerikanë, të cilëve u ishin vjedhur dhe shitur të dhënat personale.
Autoritetet në Kosovë nuk i kanë ofruar Radios Evropa e Lirë të dhëna lidhur me rastet e hetuara specifikisht për vjedhjen e të dhënave dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës.
Ndërkaq, autoritetet e Maqedonisë së Veriut i thanë Radios Evropa e Lirë se raportimet për mashtrime kompjuterike janë rritur nga 12 në vitin 2022 në 79 në vitin 2025, pra më shumë se gjashtëfish.
Megjithatë, rasti i Rydox-it dhe arrestimi i të riut nga Maqedonia e Veriut ngrenë pyetje për shtrirjen e krimit kibernetik në Ballkanin Perëndimor: si sigurohen të dhënat personale, si përfundojnë në shitje online dhe çfarë ua mundëson këtyre tregjeve ilegale të funksionojnë?
Si funksionon tregtia me të dhënat e vjedhura?
Thomas Holt, profesor i drejtësisë penale në Universitetin Shtetëror të Miçiganit, shpjegon se këto tregje furnizohen kryesisht nga rrjedhjet e të dhënave në përmasa të ndryshme, të shkaktuara nga sulmet e hakerëve, përfshirë ato që kryhen me ndihmën e softuerëve të specializuar.
Holt studion hakimin dhe organizimin e tregjeve kriminale online, si dhe drejton qendrën e universitetit për hulumtimin e krimit kibernetik dhe trajnime.
“Pasi informacioni sigurohet, ai shitet. Dhe kjo shpesh bëhet përmes ndërmjetësve”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Holt sqaron se administratorët e këtyre tregjeve nuk janë domosdoshmërisht edhe shitës apo blerës të të dhënave.
Një mënyrë tjetër për sigurimin e të dhënave për këto tregje është mashtrimi i vetë përdoruesve.
Instituti Kombëtar amerikan i Standardeve dhe Teknologjisë (NIST) shpjegon se mesazhet mashtruese, të njohura si phishing, mund të duken sikur vijnë nga banka.
Përmes tyre, marrësi nxitet të hapë një faqe të rreme dhe të shkruajë emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin. Kështu, pa e kuptuar, ai ua dorëzon këto të dhëna sulmuesve.
Mesazhe të tilla mund ta nxisin përdoruesin edhe të shkarkojë programe që vjedhin të dhëna nga pajisja e tij.
Në muajt e fundit, në Kosovë janë raportuar mashtrime përmes SMS-ve të rreme në emër të bankave, që synojnë vjedhjen e të dhënave dhe parave të qytetarëve.

