Zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, ka marrë pjesë në forumin e karrierës “NextGen CareerUp 26″, të organizuar nga Instituti për Lidership dhe Politika Publike (ILPP) në Tetovë.

Forumi mblodhi përfaqësues të institucioneve, universiteteve dhe sektorit privat, me qëllim krijimin e mundësive të reja për të rinjtë dhe afrimin e tyre me tregun e punës.

Përmes një reagimi publik, Qamili theksoi rëndësinë e mbështetjes së iniciativave që kontribuojnë në zhvillimin profesional të të rinjve dhe krijojnë ura bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimore dhe punëdhënësve.

“Si i ri dhe si pjesë e udhëheqjes së Komunës së Tetovës, besoj se është përgjegjësia jonë të mbështesim iniciativa që i afrojnë të rinjtë me tregun e punës dhe u hapin rrugë drejt zhvillimit profesional”, ka theksuar Qamili.

" "

Ai vlerësoi potencialin e të rinjve të Tetovës, duke nënvizuar nevojën që atyre t’u krijohen kushte dhe mundësi konkrete për të dëshmuar aftësitë e tyre dhe për të ndërtuar të ardhmen në vendlindje.

“Tetova ka të rinj me potencial të jashtëzakonshëm. Ata meritojnë mundësi për ta dëshmuar veten dhe për ta ndërtuar të ardhmen pikërisht këtu\!”, u shpreh zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës.

Forume të tilla synojnë të nxisin bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike, universiteteve dhe sektorit privat, duke krijuar hapësira për orientim në karrierë dhe përfshirje më të madhe të të rinjve në tregun e punës.

sqShqip