April 26, 2024
Maqedoni

Në UT u mbajt konferenca vjetore doktorale

Në Universitetin e Tetovës më 3 mars 2023, u mbajt konferenca vjetore doktorale. Kjo konferencë organizohet në përputhje me strukturën e studimeve, si dhe me Rregulloren për kushtet, kriteret, rregullat e regjistrimit dhe studimit në ciklin e tretë të studimeve në Universitetin e Tetovës. Konferenca realizohet me qëllim që, mentorët dhe anëtarët e komisioneve në fakultetet përkatës të përcjellin punën dhe arritjet e deritashme të hulumtimeve shkencore që kanë bërë kandidatët.

Udhëheqësi i Zyrës së doktoraturës në Universitetin e Tetovës, Mr. Sc. Agron Ilazi, u shpreh se përmes konferencave doktorale, kandidatët e programeve funksionale në këtë cikël, shënojnë arritjet e tyre dhe avancimin intelektual duke hapëruar gradualisht në konkurrencën e botës shkencore. Ai më tej shtoi se, gjatë kësaj konference komisionet e përbëra nga anëtarët e Këshillit universitar të studimeve të doktoratës, mentorët dhe profesorët e lëmenjve shkencorë përkatës, i vlerësuan prezantimet publike, duke i përgëzuar kandidatët për punën e deritanishme dhe njëherit u kanë dhënë edhe sugjerime për punën e tyre deri në finalizimin e plotë të disertacionit të doktoraturës.