June 17, 2024
Maqedoni

Në Universitetin e Tetovës u shënua 1 Qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, me aktivitete të ndryshme e shënoi 1 Qershorin – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. 1 Qershori shërben për të sensibilizuar dhe për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Fakulteti Pedagogjik në bashkëpunim me shkollat fillore të Komunës së Tetovës, shkollat fillore “Përparimi”, “Naim Frashëri” dhe “Kirili dhe Metodi”, tashmë tradicionalisht e shënon këtë ditë, duke dhënë porosinë se të gjithë fëmijët kanë të drejta të barabarta. Gjatë këtij aktiviteti, studentët e Fakultetit Pedagogjik realizuan disa lojëra me nxënësit në kuadër të aktiviteteve të lira lëndore në Matematikë, Gjuhë Shqipe dhe Edukatë Fizike.

Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi tha se, kjo ngjarje ka për qëllim ta rrisë vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre dhe për t’i thënë jo dhunës, bullizmit dhe abuzimeve të tjera ndaj fëmijëve. “Është dita kur vetë fëmijët ngrenë zërin për të drejtat e tyre, por për ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre bëhet me lojëra festive. Më shumë sesa çdo ditë tjetër, ata kërkojnë vëmendjen tonë, të prindërve dhe shtetit. Interpretimet e të drejtave të fëmijëve sillen nga lejimi i fëmijëve për veprime autonome dhe deri te e drejta e fëmijëve për të qenë fizikisht, mendërisht dhe emocionalisht të lirë nga abuzimi. Fëmijët janë thesari më i çmuar i jetës dhe meritojnë paqe, dashuri, lumturi dhe hare. Atyre u duhet t’u lejojmë të marrin frymë lirshëm dhe të edukohen në mënyrën më të mirë të mundshme. Çdo fëmijë është një lule e ndryshme, por të gjithë së bashku e bëjnë botën një kopsht të bukur! Janë pikërisht ata që meritojnë të drejtën të mendojnë se mund ta ndryshojnë botën”, u shpreh dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.

Në përmbyllje të kësaj veprimtarie, profesoresha e Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Besa Havziu theksoi se ne jemi një ekip që punojmë për ta dhe i duam fëmijët. “Një gjë që dua ta përcjell deri tek opinioni më i gjerë, e veçanërisht te mësimdhënësit, është një memorandum që e ka thënë një fëmijë: Mos më detyro, kjo më mëson që vetëm forca vlerësohet. Unë reagoj më mirë, kur ti mua më udhëzon. Mos e vë në dyshim besimin tim nga frika, sepse unë do të tregoj ty vetëm gënjeshtra. Prandaj, t’i duam, t’i udhëzojmë dhe ashtu siç keni punuar deri tash, shpresoj se do të punoni edhe në të ardhmen”, potencoi profesoresha e Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Besa Havziu.

Kjo ngjarje ishte e rëndësishme edhe nga aspekti artistik. Fillimisht, nxënëset Arbra Nuredini dhe Rida Vehapi realizuan një interpretim muzikor, më pas studentët e Fakultetit Pedagogjik sollën një dramatizim kundër dhunës familjare, teknologjisë dhe bullizmit dhe Studio e Baletit TUTU ekzekutoi një pikë artistike. Dita e Fëmijëve është vendosur me 1 Qershor, pasi në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, më 1925.