Ka vdekur në moshën 76-vjeçare aktivistja për të drejtat e njeriut dhe ish-deputetja Flora Brovina.
Lajmin për vdekjen e Brovinës e kanë bërë të ditur familjarët e saj.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se fjalët për humbjen e Brovinës janë të pakta. Ai e ka kujtuar Brovinën si simbol të qëndresës dhe dashurisë për atdheun.
“Sot na la Flora Brovina. Na la një grua e fortë, një nënë, mjeke, intelektuale dhe veprimtare që gjithë jetën ia kushtoi Kosovës dhe qytetarëve të saj. Flora nuk u përkul kurrë para vështirësive. Ajo qëndroi me dinjitet, guxim dhe përkushtim deri në fund të jetës. Për mua, për PDK-në dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin, ajo do të mbetet përjetësisht simbol i qëndresës dhe dashurisë për atdheun”, ka shkruar ai në Facebook.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se Brovina do të kujtohet si grua që organizoi ndihmoi, protestoi dhe ngriti zërin kundër dhunës e represionit, duke e kthyer angazhimin publik në një formë të përditshme të qëndresës.
“Në pranverën e vitit 1999 u arrestua dhe u dërgua në burgjet e Serbisë, ku u dënua me 12 vjet burg. As aty nuk hoqi dorë nga bindjet e veta. Për lirimin e Flora Brovinës u angazhuan organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, shkrimtarë dhe institucione nga vende të ndryshme të botës. Ishte e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së dhe pjesë e brezit që sakrifikoi aq shumë për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Kush ishte Flora Brovina?
CV-ja zyrtare e dërguar nga familja
DR. FLORA BROVINA
Mjeke, Poete, Humaniste, Aktiviste për të Drejtat e Njeriut, Ish e Burgosur Politike, Veterane e Luftës së UÇK-së, Deputete, Nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës
Dr. Flora Brovina, e lindur më 30 shtator 1949 në Skenderaj, është një nga figurat më të njohura të jetës humanitare, politike, shoqërore dhe kulturore të Kosovës. Për më shumë se pesë dekada, veprimtaria e saj është ndërthurur me mjekësinë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të grave, rezistencën kombëtare, letërsinë dhe ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Arsimi dhe karriera profesionale
Flora Brovina përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë dhe u specializua në pediatri, me studime të mëtejshme në pediatrinë klinike. Një pjesë të specializimit profesional e zhvilloi në Zagreb.
Për shumë vite punoi si mjeke pediatre, përfshirë angazhimin në repartin e Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.
Ajo pati gjithashtu një përvojë rreth nëntëvjeçare si gazetare e shëndetësisë në gazetën “Rilindja”, duke bashkuar profesionin e mjekes me komunikimin publik dhe angazhimin shoqëror. Kuvendi i Kosovës e evidenton në biografinë e saj zyrtare si mjeke pediatre dhe ish-gazetare të “Rilindjes”.
Themeluese e Lidhjes së Gruas Shqiptare
Në vitin 1992, në një periudhë të represionit të rëndë politik dhe institucional në Kosovë, Flora Brovina themeloi Lidhjen e Gruas Shqiptare, një organizatë e fokusuar në mbrojtjen e të drejtave të grave, ndihmën humanitare, edukimin, shëndetin dhe fuqizimin ekonomik të grave.
Lidhja organizoi aktivitete humanitare, programe të edukimit shëndetësor dhe aksione në mbështetje të popullatës shqiptare. Heinrich Böll Foundation e përshkruan Brovinën si themeluese të organizatës që në vitin 1992 dhe si një aktiviste që kishte punuar për të drejtat e njeriut që nga fillimi i viteve 1990.
Ajo ishte një nga organizatoret e protestave paqësore të grave kundër dhunës dhe represionit dhe për mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe kombëtare.
Veprimtaria humanitare dhe Lufta e Kosovës
Gjatë viteve të represionit dhe veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës, Flora Brovina vazhdoi aktivitetin e saj humanitar dhe mjekësor në Prishtinë.
Në vend që të largohej nga Kosova, ajo vazhdoi të kujdesej për gra, fëmijë dhe familje të prekura nga lufta. PEN America evidenton se gjatë luftës ajo qëndroi në Prishtinë dhe drejtoi një strehë për gra dhe fëmijë.
Human Rights Watch dokumenton se autoritetet serbe e akuzuan ndër të tjera se kishte siguruar ushqim, veshmbathje dhe furnizime mjekësore për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Në historikun e veprimtarisë së saj kombëtare ajo mban edhe statusin e Veteranes së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – UÇK.
Arrestimi dhe burgosja politike
Më 20 prill 1999, gjatë luftës, Flora Brovina u arrestua në Prishtinë nga forcat serbe.
Pas arrestimit u mbajt fillimisht në Kosovë dhe më pas, pak para hyrjes së forcave ndërkombëtare, u transferua së bashku me qindra të burgosur shqiptarë në burgjet e Serbisë.
Më 9 dhjetor 1999, një gjykatë në Nish e dënoi me 12 vjet burgim, në një proces që u kritikua fuqishëm nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Human Rights Watch raportoi për parregullsi serioze procedurale, ndërsa Gjykata Supreme e Serbisë më pas e anuloi vendimin dhe urdhëroi rigjykim.

