Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Arif Memeti.
Arif Memeti ishte një atdhetar i devotshëm, burrë trim dhe mbi të gjitha një njeri i mirë, me vlera të larta njerëzore , kombëtare dhe fetare. Gjatë gjithë jetës së tij ai dha kontribut të çmuar në çështjen kombëtare shqiptare, duke qenë aktiv për dekada të tëra në shërbim të popullit dhe kombit.
Ai ishte ndër përkrahësit e hershëm të Universitetit të Tetovës në Osijek, duke kontribuar në kohë të vështira për arsimin dhe të drejtat e shqiptarëve.
Gjatë viteve ’90, Arif Memeti ishte anëtar i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Osijek, ndërsa nga viti 1993 mori pjesë aktive në themelimin e Bashkësisë së Shqiptarëve për prefekturën e Osijekut. Veprimtaria e tij në Osijek la gjurmë të thella dhe të paharrueshme në jetën shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve në këtë trevë.
Edhe pas kthimit në vendlindje, ai mbeti gjithmonë i lidhur me bashkatdhetarët dhe i interesuar për aktivitetet kombëtare të shqiptarëve në Osijek dhe më gjerë.
I ndjeri Arif Memeti ishte gjithashtu anëtar dhe kontribuues në organizatat kombëtare shqiptare, duke dhënë shembull të përkushtimit dhe unitetit.
Largimi i tij nga kjo botë është një humbje e madhe për familjen, për fshatin Gradec, por edhe për shumë miq, bashkëpunëtorë dhe bashkatdhetarë në diasporë.
Lusim Zotin që ta mëshirojë dhe ta shpërblejë me Xhenet, ndërsa familjes së tij t’i japë durim dhe forcë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!
Basri Haliti.

